E Diel, 1 Nëntor 2026

DOHA – Kallas mbron aleancën me SHBA-në

DOHA, 6 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, mbrojti sot aleancën e gjatë të bllokut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi një strategji e re kombëtare e administratës Trump vuri në pikëpyetje besueshmërinë e ardhshme të Evropës.

“Ka shumë kritika, por mendoj se disa prej tyre janë edhe të vërteta; nëse shikoni Evropën, ajo e ka nënvlerësuar fuqinë e vet ndaj Rusisë”, tha Kallas në një takim vjetor diplomatik në Doha.

“Duhet të kemi më  vetëbesim, kjo është e sigurt. SHBA-ja mbetet aleati ynë më i madh”, shtoi ajo në Forumin e Dohas.

Strategjia e re e sigurisë kombëtare e SHBA-së, e publikuar më herët këtë javë, pohon se Evropa përballet me një “zhdukje civilizimi” për shkak të migrantëve dhe paraqet një tablo të zymtë të lirisë së shprehjes në kontinent.

“Mendoj se jo gjithmonë kemi pasur të njëjtat qëndrime për tema të ndryshme, por parimi i përgjithshëm mbetet. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë bashkë”, tha Kallas.

Dokumenti, i publikuar nga Shtëpia e Bardhë të enjten nënvizon qasjen “America First” të presidentit Donald Trump, duke kritikuar ashpër Evropën.

“Çështjet kryesore me të cilat përballet Evropa përfshijnë veprimet e Bashkimit Evropian dhe të trupave të tjera ndërkombëtare që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë përplasje, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e shkallës së lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe të vetëbesimit”, thuhet në tekst.

Trump e quajti dokumentin “një plan të qartë për të siguruar që Amerika të mbetet kombi më i madh dhe më i suksesshëm në historinë e njerëzimit”.

BE-ja është e shqetësuar se një përpjekje e re e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë mund të sjellë një marrëveshje që do të rëndojë mbi sigurinë e Evropës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›