DUBLIN – Irlanda: Nevojë urgjente për shmangien e përshkallëzimit pas sulmeve amerikane

DUBLIN, 22 qershor /ATSH-DPA/- Një shmangie urgjente e përshkallëzimit është e nevojshme në Lindjen e Mesme, tha sot ministri irlandez i Punëve të Jashtme, Simon Harris pasi SHBA-ja goditi lokacionet bërthamore në Iran.
Harris, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër i Irlandës, tha se stafi i ambasadës irlandeze në Teheran ishte larguar të premten dhe se po informohej për paqeruajtësit irlandezë të stacionuar në Liban.
“Po monitoroj nga afër situatën në Lindjen e Mesme pas veprimeve ushtarake te SHBA-së në tre objekte bërthamore në Iran gjatë natës”, tha Harris.
“Rreziku i një spiraleje jashtëzakonisht të rrezikshme të përshkallëzimit në lidhje me Iranin dhe Izraelin tani është më real dhe më i mundshëm se kurrë më parë”, shtoi ai.
“Ekziston një nevojë urgjente për shmangien e përshkallëzimit, për dialog dhe diplomaci. Ky ka qenë fokusi i angazhimit tim me partnerët e BE-së dhe vendet në rajon që nga fillimi i kësaj krize aktuale. Do të mbetet përparësia e Irlandës në orët dhe ditët në vijim”, theksoi Harris.
Harris tha se Irlanda dhe Evropa ishin plotësisht të bashkuara në pikëpamjen e qartë – se Iranit nuk duhej t’i lejohej të zotëronte armë bërthamore.
“Mënyra për ta adresuar këtë është gjithmonë përmes një zgjidhjeje të negociuar. Çdo alternativë ndaj kësaj është shumë e rrezikshme për civilët, për rajonin e Lindjes së Mesme dhe për sigurinë globale”, tha ai. //a.i/