E Hënë, 2 Nëntor 2026

Darka zyrtare e krerëve të UEFA-s në Tiranë, Čeferin: Futbolli shqiptar është zhvilluar

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Federata e Futbollit organizoi mbrëmjen e djeshme një darkë në “Pallatin e Brigadave”, ku mori pjesë Kryeministri Edi Rama, si edhe krerët më të lartë të futbollit evropian, të cilët ndodheshin në Tiranë për mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, në fjalën e tij përshëndetëse, nënvizoi zhvillimin e futbollit shqiptar dhe Shqipërisë. Ai theksoi edhe njëherë mesazhin e fuqishëm se futbolli dhe sporti duhet të bashkojnë njerëzit.

“Është gjithmonë kënaqësi të jem në Shqipëri. Sa herë që vij, shoh ndryshime në infrastrukturë, shoh gjëra të reja të ndërtuara. Ende nuk e kuptoj pse Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian. Por mendoj se jeni pranë”, tha ai.

“Futbolli po zhvillohet këtu falë punës së mirë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të mikut tim të dashur Armand, si dhe të mbështetjes së qeverisë. Më pëlqen ky raport miqësor edhe pse ndonjëherë dinë të jenë këmbëngulës kur duan të më shtyjnë t’u jap ndonjë kompeticion. Por ua shpjegova që kjo është një vendimmarrje e Komitetit Ekzekutiv dhe nuk mund të premtoj asgjë”, vijoi Čeferin.

Presidenti i UEFA-a, tha se futbolli bashkon njerëzit.

“Jo vetëm futbolli, sporti bashkon njerëzit. Sporti duhet të jetë kundër dhunës dhe është kundër dhunës, kundër ndarjes. Prandaj jam i lumtur që Shqipëria po bashkë-organizon Evropianin U-21 2027 së bashku me Serbinë. Dhe jam gjithashtu i lumtur që folëm me kryeministrin për mundësinë, jo të një ndeshjeje bamirësie, por të një ndeshjeje mes lojtarëve veteranë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe atyre nga vendet që do t’i bashkohen së shpejti BE-së”, tha Presidenti Čeferin.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, gjatë darkës së organizuar në Tiranë, u shpreh i nderuar për mbajtjen e këtij takimi historik për herë të parë në Shqipëri. Ai theksoi rrugëtimin e futbollit shqiptar nga infrastruktura modeste drejt standardeve moderne falë mbështetjes së qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përmendur sukseset si finalja e UEFA Europa Conference League dhe organizimi i Kampionatit Evropian U-17.

Presidenti Duka vlerësoi kontributin e klubeve dhe drejtuesve të futbollit në vend, si dhe zhvillimin e futbollit të bazës dhe të vajzave. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar nënvizoi rëndësinë e bashkëorganizimit të Kampionatit Evropian U-21 në vitin 2027 me Serbinë si një mundësi për të treguar kapacitetet e Shqipërisë në organizimin e eventeve të mëdha dhe rolin e futbollit në afrimin e kombeve.

Presidenti Duka falënderoi UEFA-n për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se Shqipëria tashmë ka dëshmuar aftësinë e saj për të pritur aktivitete të nivelit më të lartë dhe është e gatshme për sfida të tjera madhore në të ardhmen, duke përfshirë edhe synimin për të mirëpritur një ditë finalen e Superkupës së UEFA-s në Tiranë.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›