E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbështet një shtet palestinez, por pa Hamasin

NJU JORK, 12 shtator /ATSH/ – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese “Deklaratën e Nju Jorkut”, që synon rigjallërimin e zgjidhjes me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën dhe që, për herë të parë, përjashton në mënyrë të qartë Hamasin.

Ndërsa Izraeli ka denoncuar për gati dy vjet paaftësinë e Asamblesë dhe të Këshillit të Sigurimit për të dënuar sulmet e pashembullta nga lëvizja palestineze më 7 tetor 2023, teksti i përgatitur nga Franca dhe Arabia Saudite, i miratuar me 142 vota pro dhe 10 kundër (përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara), plus 12 abstenime, është i qartë.

“Ne dënojmë sulmet e kryera më 7 tetor nga Hamasi kundër civilëve”, thuhet në të.

Deklarata, e bashkënënshkruar tashmë në korrik nga 17 shtete, përfshirë disa vende arabe, shkon edhe më tej.

“Ndërsa lufta në Gaza po i afrohet fundit, Hamasi duhet të ndalojë së ushtruari autoritetin e tij mbi Rripin e Gazës dhe t’ia dorëzojë armët e tij Autoritetit Palestinez, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare, në përputhje me qëllimin e një Shteti sovran dhe të pavarur të Palestinës”, thuhet në deklaratë.

Ambasadori palestinez Riyad Mansour u përgjigj duke i bërë thirrje Izraelit të “dëgjojë zërin e arsyes” dhe “mesazhin që ka pasur jehonë të madhe në këtë Asamble”.

“Së bashku, ne po hartojmë një rrugë të pakthyeshme drejt paqes”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në X./    /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›