E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat në Këshillin e Legjislacionit: PD akuzon Peleshin për njëanshmëri, kërkon shkarkimin

Këshilli i Legjislacionit u mblodh këtë të mërkurë për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Mbledhja, e drejtuar nga deputetja socialiste Aurora Bylykbashi, u karakterizua nga përplasje politike dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës.

Demokratët akuzuan Peleshin për njëanshmëri në drejtimin e punimeve të Kuvendit, duke e akuzuar se favorizon qëndrimet e mazhorancës dhe ndëshkon opozitën në rastet e shkeljes së rregullores.

“Kryetari i Kuvendit duhet të merrte masa për të gjithë. Kanë qenë 3 ose 4 nga njëri grup dhe po aq nga ana tjetër. Nga ana juaj ishte dhe kryeministri, që njerëzit i përmendi babën njërit, mirë që e njeh babën si institucion. Kryetari i Kuvendit duhet të merrte masa për të gjithë. Ajo ideja që do të thoni që PD do kaos, jo, s’e di pse, nuk është e vërtetë.”, deklaroi deputeti Arjan Ndoja.

Nga ana e tij, deputeti Gjin Gjoni theksoi se detyra e kryetarit të Kuvendit është të ruajë paanësinë.

“Unë nuk shoh që kaosi erdhi prej opozitës, sepse ashtu siç zoti Ndoja e përmendi. Po t’i referoheshim nenit 76 të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit duhet të jetë i paanshëm në momentin që merr drejtimin e Kuvendit”, – u shpreh Gjoni.

Por përfaqësuesit e mazhorancës i hodhën poshtë pretendimet e opozitës, duke e konsideruar sjelljen e tyre si pengesë për funksionimin normal të Kuvendit.

“Unë mendoj se kaosi mohon problemet e qytetarëve. Unë jam me parimin që deputeti të flasë ç’të dojë në parlament, për sa kohë nuk shkel dinjitetin e tjetrit. Kur shumica e opozitës prishte rendin në sallë, kryetari i Kuvendit detyrohej të merrte masa”, u shpreh deputeti Damian Gjiknuri.

Për shkak të mosmarrëveshjeve dhe kërkesës së Partisë Demokratike për më shumë kohë për t’u njohur me raportin e socialistëve, Këshilli nuk miratoi asnjë raport përfundimtar.

Mbledhja do të rifillojë në ditët në vijim, përpara se çështja të shkojë në seancë plenare, ku do të vendoset nëse kërkesa për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit do të votohet ose jo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›