Debat në komisionin e Ligjeve për Reformën Territoriale, opozita kërkon tërheqjen e projektligjit

TIRANË, 23 shtator/ATSH-Maela Marini/ Komisioni i Ligjeve ka nisur sot diskutimet lidhur me projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Ndërkohë që në rendin e ditës të komisionit është përfshirë prezantimi i gjetjeve të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën territoriale, deputetët e opozitës kanë kërkuar që drafti të tërhiqet, pasi sipas tyre nuk është produkt i komisionit, por i një grupi deputetësh.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo theksoi se harta e re territoriale nuk mund të kalojë pa dëgjesa publike, konsultim me komunitetet dhe konsensus politik.
“Puna e komisionit u ndërpre në mënyrë brutale nga vendimi politik i PS-së. Nuk mbyllëm dëgjesat me përfaqësues të pushtetit vendor, me bashkinë e Tiranës si dhe grupet e interesit. As ekspertët e jashtëm nuk i dëgjuam dhe as komunitetet. Po ashtu nuk arritëm dot as të angazhonim ekspertët e të dyja palëve politike”, tha Bozdo.
Deputeti demokrat theksoi se çdo draft që vjen aty në emër të komisionit është mashtrim, pasi nuk është produkt i komisionit të reformës territoriale, por është produkt i një grupi deputetësh.
“Si mund të operojmë pa pyetur njerëzit dhe komunitetet se çfarë mendimesh kanë? Ne as nuk diskutuam nëse duhej të rritej financimi për pushtetin vendor dhe jo më të masakrohej më tej harta në këtë mënyrë pa pyetur askënd”, tha Bozdo.
Ndaj ai theksoi se projektligji duhet të shtyhet dhe të mos fillojë procedura për miratimin e tij sepse kështu dëmtojmë veten.
“Jemi duke rendur drejt një reforme të dytë më masakruese se ajo e vitit 2015, që do të ketë ndikim ekonomik dhe social në gjithë vendin”, shtoi Bozdo.
/j.p/