Debat për kafazin e qelqtë në gjykatë, Brahimllari për RTSH: Çfarë parashikon ligji dhe si zgjidhet çështja

Vendosja në kafazin e qelqtë gjatë seancave në Gjykatën e Posaçme e të gjithë të pandehurve me masë sigurie “arrest me burg”, duke vështirësuar komunikimin me avokatët mbrojtës, ka ngritur debat në radhët e jurisprudencës si një shkelje e të drejtave të të akuzuarve. Avokati Gurali Brahimllari ka shpjeguar për RTSH se gjykata duhet t’i shqyrtojë kërkesat e të pandehurve rast pas rasti.
“Unë tani jam në pozicionin e mbrojtësit dhe në fakt kështu siç është, mbase është më komode në krahasim me atë kohën kur unë kam qenë gjyqtar, kur e shikon që është fasada e xhamit, por është e pamundur që të komunikosh me klientin kur janë rastet e këtyre të pandehurve të cilët nuk janë nuk kanë kryer vepra të tilla penale të cilat paraqesin rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të vetë të pandehurit që mund të qenë pjesëmarrës në vrasje apo në veprime dhe rrëmbime për personat e tjerë. Gjykata duhet të jetë më fleksibël dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve mund dhe duhet të lejojë që të pandehurit të jenë në krahë të avokatëve me masa gjithmonë sigurimi pavarësisht se kush është. Sepse nëse do e bësh për një person do të gjesh argumente pse nuk e bën për personin tjetër. Është adekuate për të marrë një zgjidhje rast pas rasti sipas natyrës së çështjeve dhe personave të cilët gjenden në paraburgim”, tha Brahimllari .
Ndërkohë, refuzimi i përsëritur i kërkesave të medias për transmetimin drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore me interes publik në Gjykatën e Posaçme po shihet si një çështje që ngre pikëpyetje mbi transparencën e proceseve gjyqësore.
“Po sipas legjislacionit që është në fuqi në vendin tonë dhe posaçërisht në kodin e procedurës penale, neni 339 i tij parashikon që seancat gjyqësore do të jenë publike. Në të kundërtën seanca quhet e pavlefshme. Duhet të jetë gjykata ajo që duhet të shqyrtojë dhe të vlerësojë nëse seanca gjyqësore do të bëhet në prezencë të mediave apo jo se këtu diskutohet. Nuk janë penguar deri më sot në gjyqet e themelit që të vijnë gazetarët në sallë. Nuk ka asnjë pengesë ligjore, përkundrazi e përforcon procesin nëse edhe kamerat do të jenë në një vend të caktuar, të mos lëvizin, mos prishin solemnitetin e gjykimit, të jenë futur përpara se të vijë trupi gjykues dhe më pas nuk mund as të dalin dhe as të lëvizin më nga salla dhe mund të marrin pamjet deri në momentet kur diskutohet mes palëve nga prokuroria, lidhur me kërkesën për gjykim lidhur me kërkesat paraprake të veçanta që kanë mbrojtësit.
Kur vjen momenti më pas te pyetja e dëshmitarëve, këtu ka problematikë për median dhe transmetimin. Pyetja bëhet për një dëshmitar, dëshmitarët e tjerë rrinë jashtë sallës. Pra ata nuk duhet të dëgjojnë se çfarë dëshmoi dëshmitari i parë, se në të kundërt pastaj kopjojnë apo ndryshojnë deklaratat, prishet cilësia e procesit dhe vërtetësia e provës. Në këto raste unë mendoj që, edhe në qoftë se seanca mund të regjistrohet në forma të ndryshme, nuk mund të transmetohet drejtpërdrejtë siç edhe kërkohet për pyetjen e dëshmitarëve. Ndërsa në mënyrë absolute seancat me të mitur dhe me të penduarit nuk mundet që të jenë në bindjen time as gazetarët në sallë”, theksoi avokati.
Ndër të tjera, Brahimllari ka theksuar se, që proceset gjyqësore të kenë një mbarëvajtje të mirë, nevojitet bashkëpunim ndërinstitucional.
/rtsh.al/