Parada e Vespave në Durrës, qindra motorë klasikë dhe modernë në 20-vjetorin e klubit shqiptar

Qyteti i Durrësit u shndërrua këtë fundjavë në një skenë të gjallë ngjyrash dhe nostalgjie, ndërsa mirëpriti qindra adhurues të motorëve legjendarë Vespa.
Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të klubit Vespa në Shqipëri, shëtitorja “Taulantia” u kthye në një paradë të hapur, ku motorë të restauruar me kujdes dhe modele të rralla historike tërhoqën vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.
Nga Shqipëria, por edhe nga vende të ndryshme të Europës, pjesëmarrësit sollën me vete histori mbi dy rrota, disa prej tyre të trashëguara prej dekadash.
Një motorist nga Shkodra solli një Vespa Rally të vitit 1971, ndërsa një adhurues nga Vlora kishte realizuar vetë me rrëshirë koshin e famshëm të motorit “Made in Italy”.
Atmosferës festive iu bashkuan edhe shumë italianë, të cilët udhëtuan qindra kilometra, disa me traget dhe të tjerë në rrugë tokësore, për të qenë pjesë e këtij organizimi.
“U nisëm me Vespa nga Verona dy ditë më parë. Morëm ftesën të ishim pjesë e 20-vjetorit të klubit në Shqipëri. Jemi të kënaqur që erdhëm.”
“Është kënaqësi të jemi në këtë aktivitet, ku janë mbledhur Vespa nga e gjithë bota!”
“40 vite mbi Vespa! Është një kulturë dhe kënaqësi t’i japësh këtij motori. Është një motiv i bukur për të udhëtuar; sa më shumë rrugë të bësh, aq më bukur është.”
Shumë prej pjesëmarrësve sollën motorë rreth 40-vjeçarë, ende plotësisht funksionalë, duke dëshmuar cilësinë dhe jetëgjatësinë e markës.
/rtsh.al/