E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debate në Kuvend, opozita largohet nga seanca, mazhoranca voton kalendarin e punimeve

Pas debateve e akuzave, deputetët demokratë janë larguar nga seanca e sotme plenare, ndërsa mazhoranca ka votuar me votat e saj programin dhe kalendarin e punimeve për periudhën 29 shtator-17 tetor.

Deputetët demokratë kanë deklaruar se mazhoranca duhet të respektojë kërkesat e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, diskutimin mbi rregulloren e re të Kuvendit, si dhe mocionin me debat për programin e qeverisë.

Deputeti Flamur Noka ka hedhur akuza të forta për ministrat e kabinetit të qeverisë, duke përmendur blerjen e votave dhe lidhjet me kartelet e krimit të organizuar, duke kërkuar përgjegjësi për ato që ai i cilëson si “thasë me euro” dhe abuzime të tjera në zgjedhjet e 11 majit.

“Unë prisja që të fliste zv.kryeminsitrja për kartelet, për vendimet e qeverisë për të blerë votën e pensionistëve, për të falur gjobat, të kërkojnë ndjesë për thasët me euro për të blerë votat, për policinë që ishte shoqëruese e krimit të organizuar dhe karteleve në çdo qendër votimi. Jemi i vetmi vend në botë që kreun e policisë së shtetit e ka përcaktuar kartelet Çela e Troplini.

Sot nuk guxojnë qytetarët të bëjnë denoncime në polici, sepse pa mbaruar e pret fundi. Të flasë për raportin, se ky raport që flet për korrupsionin e kanë bërë këta këtu. Nuk gëzojnë, nuk ju zgjidhet gjuha për këto gjera.

Shqiptarët duan të dinë të vërtetën. Kanë qenë anëtarë të kabinetit të narkoris në Aruba, dy anëtarë kabineti”, tha Noka.

Nga ana e saj, zv.kryeministrja Belinda Balluku reagoi ndaj akuzave, duke i cilësuar si të pabaza dhe të paargumentuara. Ajo vuri theksin te investimet e huaja si një indikator i zhvillimit pozitiv, ndërsa kërkoi nga opozita paraqitjen e provave konkrete mbi akuzat e ngritura nga foltorja e Kuvendit.

“DASH është apo nuk është për ju një bibël tek e cila bazoheni, dhe gjithçka që thuhet pa u shtrembëruar, sepse ju i lejoni vetes interpretim dhe jo është jashtë çdo etike. Duhet ti referoheni dhe përmasën ekstreme që ka marrë ndaj liderit tuaj politik e shpirtëror. Investimet e  huaja vetëm në 6-mujorin e dytë të vitit janë rritur me 8 mln duke shkuar 759 milionë euro investime të huaja vetëm për vitin 2025. Ju investoni për t’i prishur imazhin vendit, investoni fuqimisht për ta bërë me baltë Shqipërinë. Kur del dhe bën akuza, vëru emër, sepse kolegët e mi s’kanë qenë kurrë në Aruba. Nëse ke informacione., mos hidh tym por vëru emra. Kush janë ata që kanë shkuar në Aruba?”, tha Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›