E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debatet në Kuvend, shtyhet ngritja e komisioneve të posaçme për Zgjedhoren dhe Territorialen

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Në seancën e sotme plenare, Kuvendi vendosi shtyrjen e votimit për ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Reformës Administrative Territoriale, pasi në momentin e kalimit në votim, deputetët e opozitës ishin duke folur nga vendi ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ishte përjashtuar më herët.

Sa i përket Reformës Territoriale, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla u shpreh se “jemi të gatshëm të miratojmë të gjitha propozimet që kanë ardhur nga grupi parlamentar i PD-së sa i takon paritetit në anëtar të drejtës në vote të bashkëkryetarit dhe ndarjen si më poshtë, 16 anëtarë, 8 anëtarë PS, 6 PD, 1 përfaqësues grupi i PL-së dhe 1 anëtar i grupit Aleanca për Ndryshim”.

Balla duke iu referuar debateve në sallë propozoi shtyrjen e votimit për në datën 30 tetor.

Ndërkohë Kuvendi votoi me 71 vota pro, 1 kundër, 0 abstenim për ngritjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e të cilit do të jenë, nga Partia Socialiste, Damian Gjiknuri Kryetar, Aurora Mara anëtar, Ermal Pacaj anëtar dhe nga Partia Demokratike, Oerd Bylykbashi anëtar, Ivi Kaso anëtar.

Në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, njoftoi për tre kërkesa nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

“Për mocion me debat publik në Parlament mbi prioritetet e shpallura të qeverisë dhe programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit”,  u rrëzua me 73 vota kundër.

Kërkesa “Për zhvillimin e një mocioni me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm në lidhje me gjetjet e OLAF për fondet nga programi IPARD u rrëzua me 72 vota kundër.

Gjithashtu edhe kërkesa “Për mocion me debat të finalizuar me rezolutë në lidhje me njohjen e genocidit Serb në Kosovë dhe obligimet përkatëse të qeverisë së Shqipërisë”, u rrëzua me 72 vota kundër.

Raporti i veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024 u paraqit nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Martin Blushi, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se mbulimi aktual që kanë, sipas të dhënave mbulon 95 për qind të depozituesve në sistemin bankar.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 73 vota pro, 2 kundër dhe 0 abstenim.

Raporti i veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasoiat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2024 u paraqit nga kryetari i Bordit të ISKK,  Mentor Beqja, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se veprimtaria e ISKK gjatë vitit të kaluar është zhvilluar në përputhje me të gjitha parashikimet ligjore dhe me misionin e tij themelor; dokumentimin e krimeve dhe pasojave të regjimit komunist, forcimin e kujtesës historike dhe edukimin e brezave të rinj për të shkuarën totalitare.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Raporti i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2024 u prezantua nga Robert Gajda i cili  u shpreh se edhe në vitin 2024 konfirmohen si shkaqe diskriminuese të pretenduara ato të njëjta me vitet e mëparshme, si diskriminim i sistematik.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 73 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.

Paraqitja e raportit të veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2024 dhe raporti i veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 do të zhvillohen në seancën plenare të radhës pasi Erinda Ballanca dhe Gentiana Sula, për shkak të agjendës së tyre nuk mund të ishin të pranishme në sallën e parlamentit për të raportuar.

Gjithashtu u miratua edhe projektvendimi për ngritjen e nënkomisioneve për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, me 71 pro, 0 abstenim, 1 kundër.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›