E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debati Trump-Harris më 10 shtator, sondazhet tregojnë garë të ngushtë mes dy kandidatëve

Donald Trump dhe Kamala Harris do të debatojnë më 10 shtator  në televizionin ABC. Kjo do të jetë përballja e tyre e parë , ndërsa sondazhet  tregojnë se gara presidenciale do të jetë e ngushtë.

Në një konferencë për shtyp në rezidencën e tij në Florida, Trump  u shpreh se do të dëshironte debate shtesë më 4 dhe 25 shtator, të cilat do të transmetoheshin në Fox News dhe NBC, ndërsa nuk humbi rastin për të sulmuar kundërshtaren.

“Kemi dikë që nuk ka marrë asnjë votë për president dhe po garon. Për mua s’ka problem. Por ne na vunë përpara Biden dhe tani dikë tjetër, dhe sinqerisht preferoj të garoj kundër dikujt tjetër. Zgjedhja e Kamalës është e tmerrshme; ajo është një person radikal në nivele të larta dhe zgjodhi një tjetër radikal si bashkëgarues”, tha Trump.

Sakaq, edhe kandidatja demokrate Harris u shpreh entuziaste për këtë debat me rivalin e saj republikan.

“Jam e lumtur që më në fund pranoi të debatojë më 10 shtator. Po pres me padurim”, tha ajo.

Kamala Harris u zgjodh si kandidatja e demokratëve pas largimit  nga gara të presidentit amerikan Joe Biden. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›