Debati i madh në SHBA: Adriana Smith, gruaja e shpallur e vdekur klinikisht mbahet “me forcë” në jetë për shkak të shtatzënisë

Historia e Adriana Smith, një infermiere 30-vjeçare nga Atlanta, ka tronditur opinionin publik amerikan dhe më gjerë, duke ndezur një debat të fuqishëm rreth kufijve të ligjit, etikës mjekësore dhe të drejtave të grave në Shtetet e Bashkuara.
Adriana u shpall e vdekur klinikisht më shumë se 90 ditë më parë, pas një dëmtimi të rëndë në tru. Në rrethana të zakonshme, mbështetja jetësore do të ndërpritej, por ajo ishte 22 javëshe shtatzënë në momentin e ngjarjes – një fakt që ka ndikuar drejtpërdrejt në trajtimin e saj mjekësor dhe vendimet ligjore që pasuan.
Ligji i Gjeorgjisë e pengon shkëputjen nga aparaturat
Sipas ligjeve të shtetit të Gjeorgjisë, që pas shfuqizimit të vendimit Roe v. Wade, aborti ndalohet që nga momenti kur detektohet ritmi i zemrës së fetusit – shpesh në javën e gjashtë të shtatzënisë. Në këtë kuadër, Adriana nuk konsiderohet thjesht një paciente, por një “bartëse e një jete tjetër”, duke detyruar stafin mjekësor dhe familjen të vijojnë me mbajtjen e saj në aparatura, derisa fëmija të jetë mjaftueshëm i zhvilluar për lindje.
Familja: “Kjo nuk është jeta që ajo do të kishte dashur”
Familja e Adrianës është shprehur e shkatërruar emocionalisht dhe ligjërisht e bllokuar. Në deklaratat e tyre publike, ata kanë thënë se Adriana ishte një grua e ndërgjegjshme dhe e qartë për çështjet që kishin të bënin me autonominë trupore. Ata besojnë se ajo nuk do të donte që trupi i saj të mbahej artificialisht në jetë, sidomos nëse nuk kishte më asnjë mundësi rikuperimi.
“Ne jemi duke përjetuar një dhimbje të dyfishtë – humbjen e vajzës sonë dhe pamundësinë për ta përshëndetur atë me dinjitet. Të shohësh trupin e saj të lidhur me makina çdo ditë është një makth i pafund,” – ka thënë nëna e saj në një intervistë.
Debati kombëtar: Kur një trup nuk është më ‘vetëm trup’?
Rasti i Adriana Smith është bërë simbol i tensioneve të reja që kanë dalë në sipërfaqe në SHBA pas ndryshimeve të fundit në legjislacionin për abortin. Organizata për të drejtat e grave dhe etikës mjekësore kanë ngritur alarmin, duke theksuar se ky rast është një nga më të qartët kur një trup femëror shndërrohet në mjet ligjor për një qëllim të dytë – mbajtjen në jetë të një fëmije të palindur – përtej vullnetit të vetë gruas.
Sipas mjekëve që po kujdesen për Adrianën, çdo ditë që kalon rrit rrezikun për komplikacione të mëtejshme, si për fetusin, ashtu edhe për respektimin e standardeve etike të mjekësisë moderne.
Çfarë pritet të ndodhë?
Ndërkohë që familja ka filluar konsultimet me avokatë për të sfiduar ligjin në mënyrë që të marrin të drejtën për të ndërprerë mbështetjen jetësore, autoritetet lokale hezitojnë të marrin vendime që mund të krijojnë precedentë ligjorë. Nuk përjashtohet mundësia që çështja të përfundojë në gjykatë të lartë, me potencialin për të formësuar debatin kombëtar mbi të drejtat riprodhuese.
/vizionplus.tv