E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati në Komisionin e jashtëm/ Vokshi për Koçekun: Nëse kërcënohet një deputete, qytetarët janë të pambrojtur

Deklaratat e fundit të deputetes së pavarur Marjana Koçeku për kërcënime ndaj familjes së saj janë bërë pjesë e debatit në Komisionin për Politikën e Jashtme, edhe pse vetë deputetja mungoi në mbledhje.

Ishte deputetja e opozitës Albana Vokshi që ngriti shqetësimin gjatë diskutimeve, duke deklaruar se pretendimet e Koçekut përbëjnë një çështje serioze për sigurinë dhe shtetin ligjor.

Vokshi: Nëse kërcënohet një deputete, çfarë ndodh me qytetarët?

Sipas Vokshit, nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë presion apo kërcënime ndaj një deputeteje, atëherë qytetarët e zakonshëm janë edhe më të pambrojtur.

“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë? Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm? Ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por prek drejtpërdrejt edhe procesin e integrimit europian”, u shpreh ajo.

Hasani: Kush ndihet i kërcënuar t’i drejtohet Policisë

Përgjigjja erdhi nga kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, Igli Hasani, i cili dha edhe reagimin e parë publik nga radhët e mazhorancës për këtë çështje.

Hasani deklaroi se çdo person që pretendon se është kërcënuar duhet t’u drejtohet institucioneve ligjzbatuese dhe jo rrjeteve sociale.

“Kushdo që ndihet i kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit. Nëse ka edhe një indicie, duhet të ndjekë rrugën institucionale. Se kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare”, tha Hasani.

Vijon përplasja politike

Debati vjen pas deklaratave të forta të Marjana Koçekut, e cila pretendoi se familjarët e saj janë kërcënuar dhe përmendi grupin Bajri në reagimin e saj publik. Më herët, avokati i familjes Bajri ka mohuar akuzat dhe ka paralajmëruar ndjekje ligjore për deklaratat që i konsideron të pabazuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›