E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzoi familjen Bajri, reagon avokati Tahiraj: Koçeku të paraqesë prova, jo akuza në rrjete sociale

Pas deklaratave publike të deputetes së pavarur Marjana Koçeku, ka reaguar avokati i familjes Bajri, Sokol Tahiraj, i cili i ka cilësuar pretendimet e saj si të pabazuara dhe dëmtuese për reputacionin e klientëve që përfaqëson.

Në një deklaratë publike, Tahiraj shprehet se akuzat e bëra nga Koçeku nuk mbështeten në prova dhe përbëjnë, sipas tij, një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit dhe të drejtave të personave të përmendur.

Avokati thekson se në një shtet të së drejtës, përgjegjësitë penale përcaktohen vetëm nga organet e drejtësisë dhe jo nga deklarata publike apo politike.

Sipas tij, përmendja e klientëve të tij në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues cenon parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta dhe nga aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë”, thuhet në reagim.

Tahiri bën me dije se po shqyrtohen të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të klientëve të tij, duke përfshirë kallëzime pranë institucioneve kompetente dhe procedura të tjera ligjore për deklarata që mund të konsiderohen të pavërteta apo shpifëse.

Ai i kërkon deputetes Koçeku që, nëse disponon prova për pretendimet e saj, t’i paraqesë ato pranë institucioneve ligjzbatuese dhe jo në rrjetet sociale apo media.

Reagimi vjen pasi Marjana Koçeku deklaroi publikisht se familjarët e saj janë kërcënuar dhe përmendi grupin Bajri në lidhje me këto pretendime. Deri tani nuk ka pasur një reagim nga organet ligjzbatuese mbi akuzat e ngritura nga deputetja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›