Deda për ATSH-në: Mbi 73 mijë vizita në qendrat shëndetësore verore, 30% turistë të huaj

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ 36 qendrat shëndetësore verore të hapura në të gjithë vendin, nga data 1 qershor garantuan shërbim shëndetësor jo vetëm për pushuesit, por edhe për qytetarët që banojnë në zonat afër tyre.
Jeta Deda, drejtoreshë e përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në një intervistë për ATSH-në, u shpreh se falë gatishmërisë dhe profesionalizmit të stafeve mjekësore të angazhuara në këto qendra, janë trajtuar raste emergjente si goditjet kardiake, problemet e frymëmarrjes dhe traumat e ndryshme.
Deda shprehet se qendrat kanë ofruar shërbim 24/7 gjatë periudhës 1 qershor deri tani në 10 ditët e para të shtatorit. Ato do të vijojnë të jenë të hapura deri më 30 shtator 2025.
Shpërndarja e tyre përfshin pesë qendra në zona malore, 28 në zonat bregdetare (nga Velipoja deri në Ksamil) dhe 3 në zona me interes kulturor dhe fetar.
“Për të garantuar shërbim efektiv, qendrat janë të pajisura me defibrilatorë, EKG, bombola oksigjeni dhe nebulizatorë. Falë gatishmërisë dhe profesionalizmit të stafit mjekësor, janë trajtuar me sukses raste emergjente si goditjet kardiake, problemet e frymëmarrjes dhe traumat e ndryshme, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Fluksi i pacientëve është menaxhuar gjithashtu me autoambulanca nga spitalet rajonale, bashkiake dhe qendrat shëndetësore 24/7 të pozicionuara strategjikisht”, tha Deda, teksa shtoi se “çdo qendër është pajisur me barnat më të përdorura për sezonin (si omeprazol, prulan, voltaren, buskopan, predizolon, apotel, ringer, fiziologjik, antiviper dhe teste të shpejta anti-COVID-19″, u shpreh Deda.
Drejtoresha e OSHKSH-së u ndal edhe te shifrat e pacientëve që janë paraqitur në këto qendra shëndetësore verore, prej datës 1 qershor dhe deri në 10-ditëshin e parë të shtatorit.
“Nga 1 qershori deri tani që flasim, në 36 qendrat shëndetësore verore janë pranuar gjithsej 73 268 vizita. Prej tyre, 50 960 vizita (70%) janë kryer nga pushues shqiptarë dhe 22 308 vizita (30%) nga turistë të huaj. Qendrat do të vazhdojnë të ofrojnë shërbim deri më 30 shtator, duke garantuar kujdes të vazhdueshëm shëndetësor për pushuesit gjatë gjithë sezonit turistik”, vijoi ajo.
Gjithashtu, tri qendrat e reja pranë destinacioneve me interes kulturor dhe fetar (kisha e Laçit, kalaja e Beratit dhe kalaja e Gjirokastrës) kanë ofruar shërbim shëndetësor për më shumë se 3 mijë turistë.
“Nga këto vizita, rreth 70% kanë qenë pushues shqiptarë dhe 30% të huaj, duke treguar një përfaqësim të balancuar të turistëve vendas dhe të huaj, krahasimisht me qendrat e tjera shëndetësore verore”, tha Deda.
“Këto qendra kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e aksesit në shërbime shëndetësore për pushuesit dhe në përforcimin e mbulimit të rrjetit të Qendrave Shëndetësore Verore në destinacionet me vlerë të lartë kulturore dhe fetare. Qendra shëndetësore si ajo e kishës së Shna Ndout në Laç ka treguar që ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme për të angazhuar shërbim, sidomos gjatë javëve specifike të pelegrinazhit”, shtoi Deda.
Deda tregoi për ATSH-në se në këto qendra shëndetësore verore janë angazhuar 91 mjekë dhe 132 infermierë, të përzgjedhur nga një numër aplikantësh prej 159 mjekësh dhe 366 infermierësh, sipas urdhrit angazhues të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për marrjen e masave për fillimin e sezonit turistik veror 2025.
Sa i takon diagnozave më të shpeshta të përcaktuara nga mjekët gjatë vizitave në këto qendra shëndetësore verore, Deda pohoi se “gastroenteritet, të ndjekura nga hipertensioni arterial dhe virozat kanë qenë më dominuese”.
“Rastet e pickimeve dhe alergjive kanë qenë gjithashtu të shpeshta, si dhe sëmundjet respiratore, dermatologjike dhe kardiovaskulare. Kjo pasqyron një spektër të gjerë të nevojave shëndetësore të pushuesve, duke përfshirë emergjencat e zakonshme dhe ato sezonale, të menaxhuara në mënyrë të koordinuar nga stafi mjekësor i qendrave, i cili në shumë raste ka qenë edhe i specializuar për disa nga shërbimet e ofruara”, tha ajo.
/e.i/j.p/r.e/