E Diel, 1 Nëntor 2026

Dedaj: Njerëzit donin që protesta të mos mbyllej. Duhet administrim i këtij zemërimi

Gazetari Reldar Dedaj, i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, komentoi protestën e fundit të PD-së, duke u shprehur se, sipas tij, qytetarët janë të acaruar dhe nuk donin që protesta të mbyllej.

Sipas Dedaj, qëllimi i Partisë Demokratike nuk është provokimi i tensioneve, por mbajtja e protestës nën kontroll dhe përcjellja e një mesazhi të qartë për faktorët ndërkombëtarë.

Dedaj nënvizoi se ajo që po bën Sali Berisha, sipas tij, është krijimi i një alternative konstruktive në raport me ndërkombëtarët.

“Ka një irritim shumë të madh qytetar ndaj kësaj qeverie. Problemi nuk është për ta ndezur këtë irritim, por për ta administruar në mënyrë demokratike. Unë isha prezent dhe njerëzit kërkonin realisht që protesta të mos mbyllej.

Nuk është qëllimi i Partisë Demokratike për të provokuar tension, por është ideja për ta mbajtur nën kontroll dhe për t’u thënë ndërkombëtarëve që lideri i kësaj partie është një figurë që duhet të pranohet në identitetin e tij politik që po krijon. Ajo që po bën Berisha është krijimi i një alternative konstruktive në raport me ndërkombëtarët.

Mesazhi që po jep Berisha nuk është ideja për të rrëzuar me dhunë Edi Ramën, por është një protestë e thirrur nga PD dhe që pati një miksim të madh aty.

Ndërkombëtarët duhet ta shohin mesazhin që po jep lideri i Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare dhe që po jep një mesazh shumë të madh Shqipërisë dhe qytetarëve. Ai po administron zemërimin për ta shndërruar në një strukturë konstruktive. Të ndezësh protestë është shumë e thjeshtë me kushtet që ka Shqipëria, dhe një lider që ka vërtet interes për t’u rikthyer si një alternativë politike dhe për të qenë ndryshe, pra për t’u dhënë shqiptarëve atë që do të ndodhë më pas. Nuk është puna për rrëzimin e Edi Ramës, por problemi është se çfarë do të ndodhë nesër. Dhe Berisha po jep pikërisht këtë mesazh. Protesta nuk ishte për të destabilizuar situatën, por për të dhënë një mesazh të qartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›