Foltore e PD pa Berishën, Këlliçi: Dhuna ndaj protestuesve, me urdhër politik

Foltorja e përjavshme e Partisë Demokratike përpara kryeministrisë është zhvilluar edhe këtë të hënë, por kësaj radhe pa pranin e kreut të saj Sali Berisha i cili ndodhet ne Bruksel.
Në fjalën e tij, drejtuesi politik i PD, Belind Këlliçi, ka dënuar aktin e policisë që hodhi në drejtim të protestuesve, gaz lotsjellës të skaduar gjatë protestës së 24 janarit.
Sipas Këllicit dhuna në protestën e opozitës ishte me urdhër politik.
“Dy netë më parë në këtë bulevard, në sytë e çdo shqiptari e të medieve ndërkombëtare, narkoshteti i Edi Ramës dëshmoi se është më i dobët se kurrë. Dhe e dëshmoi në fakt duke rrezikuar jetën e qytetarëve me dhunë, me një dhunë që buron nga humbja e kontrollit, nga frika dhe nga paranoja e fundit të pashmangshëm. Historia e ka treguar më shumë se një herë se kur pushteti fillon të godasë qytetarët e vet pa as edhe një arsye, i ka hyrë frika në palcë e sidomos frika për të dëgjuar qytetarët e saj”, u shpreh Këlliçi.
Duke falenderuar 19 të rinjtë që kaluan natën në qeli, Këlliçi bëri thirrje për bashkim ditën e martë përpara gjykatës për të bërë të mundur lirimin e tyre.
/rtsh.al/