Defekt në ujësjellësin e Mirditës, pa ujë Rrësheni dhe fshatrat përreth

Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit për rreth 9000 banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa fshatra përreth në Bashkinë e Mirditës.
Dëmtimi ka ndodhur në orët e para të së premtes, duke sjellë ndërprerjen e menjëhershme të ujit.
Punonjësit e Shërbimit të Ujësjellës-Kanalizimeve kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë konstatuar se bëhet fjalë për një dëmtim serioz në një gjatësi prej 85 metrash të linjës së furnizimit, i cili kërkon ndërhyrje të specializuar dhe mjete të posaçme teknike.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike në përkeqësim, ndërhyrja rezulton e vështirë dhe me rrezik.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë ka bërë të ditur se nuk i ka kapacitetet e plota teknike për riparimin e menjëhershëm të defektit, ndërsa po punohet për sigurimin e ndihmës së nevojshme për zgjidhjen përfundimtare të situatës.
Gjatë ditës së sotme, përmes zgjidhjeve teknike alternative, është mundësuar furnizimi i pjesshëm me ujë të pijshëm për qytetin e Rrëshenit.
Megjithatë, disa fshatra vijojnë të mbeten pa ujë. Emergjencat Civile në Prefekturën e Lezhës kanë njoftuar se po punohet për rikthimin normal të furnizimit edhe në këto zona, ndërsa situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm.
/rtsh.al/