Broja luan si titullar me Burnley, sulmuesi kuqezi ka një shans të artë ndaj Newcastle

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, ka fituar një fanellë titullari për ndeshjen e sotme kundër Newcastle në kampionat. Trajneri i Burnley, Scott Parker, ka vendosur t’i besojë futbollistit shqiptar nga minuta e parë në këtë transfertë.
Broja luan për herë të parë si titullar në kampionat, duke pasur kështu mundësinë për të treguar vlerat e tij, edhe pse përballë është një nga skuadrat më të forta të Premier League. Burnley vjen në këtë ndeshje pas një serie humbjesh, që e kanë pozicionuar në vend të parafundit, të rrezikuar për rënien nga kategoria.
Më parë Broja kishte luajtur si titullar me Burnley vetëm në Kupë, ndërsa sot ka shansin të jetë në fushë nga minuta e parë edhe në Premier League. Sulmuesi 24-vjeçar ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të dëmtimeve që ka pasur dhe ndoshta kjo mundësi mund t’i shërbejë për të ndërruar faqe.