Deklaratat e Dumanit për krimet zgjedhore, Bardhi: SPAK ishte inekzistent

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot në lidhje me deklaratat e bëra nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, i cili tha se strategjia për krimet zgjedhore pati efekt parandalues dhe se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të subjekteve politike.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi tha se SPAK ishte inekzistent në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas Bardhit nuk është thirrur kurrë për kallëzimet që ka bërë në qarkun e Fieriut ku edhe ishte drejtues.
“Me cilat parti politike ishin në kontakt ju, z. Prokuror? Ku dhe si? Nuk e di nëse vërtetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani e ka thënë apo jo këtë pohim në takimin off-records me gazetarët, por nëse nuk ka qenë një keqkuptim i medias, ai ka detyrimin të shpjegojë se me cilën parti politike ishte në kontakt. Me Partinë Socialiste për të intimiduar dhe shantazhuar opozitën?! Me Partinë Socialiste për të rakorduar kohën e kryerjes së krimeve zgjedhore dhe për të dhënë garanci për paprekshmëri?!
“Si Drejtues Politik i qarkut Fier deklaroj me përgjegjësi të plotë që jo vetëm nuk jemi thirrur kurrë për kallëzimet tona, por SPAK ka qenë tërësisht inekzistent, edhe pse qarku Fier, si qarku i dytë më i madh i vendit, ishte një skenë krimi elektoral çdo minutë”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, SPAK ishte inekzistent kur PD ka kallëzuar skemën e punësimeve elektorale në Fier, që përbën korrupsion zgjedhor.
“Taskforca e SPAK ishte alibia për të realizuar skenarin e njohur edhe në raportin paraprak nga OSBE-ODIHR të shkrirjes së “partisë, shtetit dhe krimit” në një të vetme në zgjedhje! Shndërrimi i SPAK nga shpresë në alibi është lajmi më i keq që shqiptarët morën në zgjedhjet e 2025!”, shkruan Bardhi ndër të tjera.
/m.q/r.e/