E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZA – Mbi 50 të vdekur dhe 400 të plagosur pas sulmeve izraelite

GAZA, 31 korrik /ATSH/ – Më shumë se 50 palestinezë u vranë dhe 400 të tjerë u plagosën ndërsa prisnin ushqim pranë një kalimi në veri të Gazës, thonë burime të  një spitali, ndërsa i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff mbërriti në Izrael, sipas BBC-së.

Pamjet filmike treguan viktima nga incidenti pranë kalimit Zikim duke u çuar me karroca në spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se forcat izraelite qëlluan mbi turmat e mbledhura rreth kamionëve me ndihma. Ushtria izraelite tha se trupat qëlluan “të shtëna paralajmëruese”, por se “nuk ishte në dijeni të ndonjë viktime”.

Witkoff do të takohet me zyrtarë izraelitë të cilët po shqyrtojnë masa ndëshkuese kundër Hamasit pasi bisedimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve ngecën javën e kaluar.

Ai gjithashtu thuhet se do të vizitojë vendet e shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të, mes zemërimit ndërkombëtar në rritje për situatën e rëndë humanitare në territorin palestinez.

Ministria e shëndetësisë e Gazës  raportoi shtatë vdekje të tjera të lidhura me kequshqyerjen, duke e çuar totalin në 154 që nga fillimi i luftës.

Kjo ndodhi një ditë pasi ekspertët globalë të sigurisë ushqimore të mbështetur nga OKB-ja paralajmëruan se “skenari më i keq i urisë” “po ndodh aktualisht” midis popullsisë prej 2.1 milionë banorësh.

Agjencitë e OKB-së kanë thënë gjithashtu se ka uri masive  në Gaza dhe kanë fajësuar Izraelin, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve nëyonë. Por Izraeli ka këmbëngulur se nuk ka kufizime në shpërndarjen e ndihmës dhe se “nuk ka uri”.

Pavarësisht kësaj, katër ditë më parë zbatoi masa që, sipas saj, synojnë të ndihmojnë OKB-në dhe partnerët e saj të mbledhin ndihmë nga kalimet dhe ta shpërndajnë atë brenda Gazës, duke përfshirë “pauza taktike” të përditshme në operacionet ushtarake në tre zona dhe krijimin e asaj që i quan “korridore të caktuara humanitare”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›