E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratë e Presidentit Topi mbi zgjedhjet kuvendore dhe vendore në Kosovë.

17 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ndoqi me vëmendje të veçantë zhvillimin e zgjedhjeve kuvendore dhe vendore të datës 17 nëntor në Kosovë.

Presidenti i Republikës vlerëson qëndrimin e përgjegjshëm dhe të pjekur të popullit të Kosovës, i cili shprehu i lirë vullnetin për të ardhmen e tij dhe të Kosovës, duke dëshmuar se parametrat demokratike dhe evropiane nuk janë të huaja për të. Ai dha provën më të qëndrueshme se nuk është i ndryshëm nga popujt e tjerë të Evropës së lirë.

Presidenti Topi përgëzon të gjitha forcat politike në Kosovë, të cilat, përmes një fushate elektorale civile dhe një procesi elektoral të paanshëm, provuan se janë të afta të marrin përgjegjësitë e drejtimit të këtij vendi.

Presidenti Topi vlerëson rolin e UNMIK-ut në përgatitjen dhe zhvillimin e të gjithë procesit zgjedhor, atë të forcave të KFOR-it në sigurinë dhe mbarëvajtjen e tërësisë së këtij procesi shumë të rëndësishëm, si dhe atë të vëzhguesve ndërkombëtarë në monitorimin e kësaj dite të veçantë për Kosovën dhe rajonin.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjykon se më 17 nëntor Kosova dëshmoi për nivelin e lartë të funksionimit të shtetit ligjor e të institucioneve të tij si dhe të demokracisë dhe sigurisë në vend.

Kosova sot ndodhet më afër se asnjëherë tjetër e përgatitur të marrë vendimin historik për fatin e të ardhmes së saj në Evropë si shtet i lirë dhe sovran.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›