Deklarimet doganore dhe të taksave – Sistemi shqiptar përgatitet të lidhet me sistemin europian

Sistemet shqiptare të deklarimit dhe regjistrimit të taksave përgatiten që të shfaqen edhe në sistemin europian të deklarimeve.
Zëvendësministri i Financave i tha televizionit publik se shndërrimi i vendit në këtë aspekt përfshin përgatitjen me objektiv dalje në regjistrin europian.
“Sistemet digjitale që përdoren nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të jenë sisteme të cilat duhet të komunikojnë me sistemet europiane, sepse nesër janë pjesë e sistemit europian digjital. Të ardhurat tona dhe treguesit tanë duhet të jenë të ngjashëm dhe krahasueshëm me vendet e tjera.”
Veprimi prek edhe sistemin e doganave.
“Legjislacioni kryesor që ne duhet të përafrojmë është Kodi Doganor i cili në vija të përgjithshme është i përafruar, ka ende ca boshllëqe që duhet të përforcohen, por në Kapitullin e 29 detyrimet tona kryesore lindin pikërisht për shkak të sistemeve.”
Zëvendësministri Yzeiraj bën të ditur sistemet që po bëhen gati.
“Sistemet si Dritarja e Vetme Kombëtare, ku 14 institucione si AKU apo inspektorate të ndryshme duhet të japin licencat për kompani që importojnë apo eksportojnë në vend. Tashmë ato do të kenë një pikë unike për të çuar aplikimet e tyre dhe jo më 14 institucione të ndryshme.”
Përgatitja parashikon daljen nga një pikë e shumë shërbimeve.
“Është sistemi kombëtar i tranzitit ku të gjitha kompanitë transportuese të mallrave që kalojnë tranzit në Shqipëri do të ndiqen në mënyrë elektronike.”
Sistemi do të vlejë edhe për ngarkesat tranzite.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/