E Hënë, 2 Nëntor 2026

AKU nis kategorizimin e stabilimenteve të përpunimit të peshkut

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Procesi i kategorizimit të stabilimenteve që operojnë në përpunimin dhe standardizimin e peshkut ishte në fokus të takimit të zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Biznesit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), KEK dhe përfaqësuesve të biznesit të këtij sektori.

Gjatë takimit, drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët në këtë proces, duke e cilësuar atë si thelbësor për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore, rritjen e transparencës në treg, si dhe për avancimin e integrimit në tregun e përbashkët europian.

Në këtë kuadër ajo njoftoi nisjen e një procesi vlerësimi dhe kategorizimi të stabilimenteve që kryejnë aktivitet në përpunimin dhe standardizimin e peshkut dhe produkteve të tij, gjatë periudhës prill–korrik 2026.

Gjylameti theksoi se nisma synon të rrisë cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore në treg, duke forcuar kontrollin mbi operatorët dhe duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit dhe përpunimit të tij në vend.

Kategorizimi i stabilimenteve të përpunimit dhe standardizimit të peshkut synon disa objektiva kryesore, së pari garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore, duke siguruar që çdo operator të përmbushë kërkesat ligjore dhe teknike për përpunimin e produkteve të peshkut.

Po ashtu, nisma synon rritjen e transparencës në treg, përmes një klasifikimi të qartë të stabilimenteve sipas nivelit të përmbushjes së standardeve, çka ndihmon edhe konsumatorët dhe partnerët tregtarë.

Një tjetër synim është përmirësimi i kontrollit dhe monitorimit nga institucionet përgjegjëse, duke krijuar një bazë të strukturuar për inspektimet dhe politikat mbështetëse në sektor.

Po ashtu, kategorizimi shërben për rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, duke i orientuar ato drejt investimeve në cilësi dhe teknologji.

Në plan më të gjerë, ky proces synon afrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe lehtësimin e integrimit të këtij sektori në tregun europian, duke hapur mundësi të reja për eksport.

1 nga 2

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›