Demo: Kapitulli 22 përgatit ngritjen e strukturave ligjore për realizimin e projekteve të financuara nga BE

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Shqipëria po vijon përgatitjet për hapjen e negociatave për Kapitullin 22 “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, të cilat sipas planit të punës së qeverisë shqiptare pritet të nisin në fillim të vitit 2027.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Çështjet Evropiane, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në cilësinë e negociatorit përgjegjës për këtë kapitull, paraqiti ecurinë e procesit dhe hapat e ndërmarrë për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me këtë fushë.
Demo tha se “Kapitulli 22 është pjesë e Klasterit 5 dhe ka një rol kyç në përgatitjen e Shqipërisë për menaxhimin e fondeve të kohezionit të Bashkimit Evropian pas anëtarësimit. Këto fonde synojnë reduktimin e pabarazive rajonale, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e kohezionit social ndërmjet rajoneve dhe shteteve anëtare”.
Sipas Demos, ndryshe nga kapitujt e tjerë të përafrimit me BE-në, Kapitulli 22 nuk kërkon transpozimin e një legjislacioni specifik evropian, por ndërtimin e kapaciteteve institucionale, administrative dhe financiare për menaxhimin efektiv të fondeve të BE-së.
Ministri Demo bëri të ditur se për këtë kapitull janë përcaktuar gjashtë piketa kryesore.
“Piketa e parë lidhet me zbatimin e suksesshëm të fondeve të para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht në sektorët që lidhen me politikën e kohezionit. Piketa e dytë kërkon hartimin e një drafti të plotë për Marrëveshjen e Partneritetit, të shoqëruar me një kalendar të qartë për përmbushjen e objektivave”, tha ai.
Një tjetër piketë ka të bëjë me hartimin e një plani gjithëpërfshirës projektesh që do të financohen në kuadër të politikës së kohezionit, ku duhet të identifikohen burimet dhe kapacitetet e nevojshme për zbatimin e tyre.
Po ashtu, Shqipëria duhet të sigurojë bazën ligjore dhe procedurat e konsultimit në përputhje me Kodin Evropian të Sjelljes për Partneritetin, si dhe të ndërtojë një strukturë institucionale të plotë për monitorimin, vlerësimin, komunikimin dhe kontrollin e fondeve të kohezionit.
“Piketa e gjashtë lidhet me menaxhimin financiar, sistemet e kontrollit dhe auditimit, duke garantuar standarde të larta integriteti dhe përdorim të sigurt e efikas të fondeve evropiane”, vijoi Demo.
Demo vuri në dukje se procesi përfshin bashkëpunimin e ngushtë të disa institucioneve, mes tyre ministrinë e Financave, SASPAC, zyrën e kryenegociatorit dhe institucione të tjera përgjegjëse. Ministri Demo bëri të ditur se është ngritur grupi ndërinstitucional i punës dhe është hartuar plani i veprimit për koordinimin e detyrimeve.
Sipas ministrit, aktualisht Bashkimi Evropian po punon për kuadrin e ri financiar 2028-2034, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjet e Shqipërisë për këtë kapitull.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ngriti shqetësimin për fondet e programit IPARD. Ajo deklaroi se Komisioni Evropian ka pezulluar fondet e IPARD II për Shqipërinë si masë mbrojtëse për interesat financiare të Bashkimit Evropian, pas dyshimeve për parregullsi në menaxhimin e tyre.
“Miliona euro nga fondet IPARD nuk shkuan për bujqësinë dhe fermerët, por për biznese të lidhura me kupolën e pushtetit, si oligarkë, trafikantë, kryebashkiakë dhe individë të tjerë të favorizuar. Bashkimi Evropian i ka bërë me dije kryeministrit Edi Rama se Shqipëria nuk do të përfitojë fonde për bujqësinë as gjatë vitit 2026. Bëhet fjalë për 138 milionë euro të parashikuara për periudhën 2017-2021”, tha Vokshi.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo në Komisionin e Jashtëm për ecurinë e negoc... 1 nga 3/e.i/j.p/r.e/