E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet në Belgjikë një shtetas i dënuar me burgim të përjetshëm

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar në Belgjikë, në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, njoftoi Policia e Shtetit.

Sipas policisë, arrestimi i shtetasit Gerd Gjinarari, 52 vjeç, u realizua falë shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe specialistëve të Interpol Brukselit.

Gjatë operacionit, i arrestuari është kapur në territorin belg me dokumente italiane të dyshuara të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të vitit 2014, si dhe Gjykata e Apelit Korçë, me vendim të vitit 2019, kanë njohur vendimin penal të autoriteteve italiane, duke e dënuar këtë shtetas me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë “vrasjen me paramendim”, “prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, si dhe “pjesëmarrjen në organizatë kriminale”.

Policia e Shtetit bën të ditur se vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Brukselit për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtij shtetasi drejt Shqipërisë.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›