Demo: Përgatitje bashkive për sfidat e negociatave me BE-në

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo tha sot se procesi i integrimit sjell shumë sfida edhe për bashkitë.
Në një konferencë për shtyp lidhur me politikat konkrete, investimet strategjike dhe nismat ligjore, nga Paketa e Maleve dhe Granti i Performancës te digjitalizimi për bashki më transparente dhe më pranë qytetarëve, Demo u ndal tek procesi i negociatave dhe sfidat që paraqet për njësitë e pushtetit vendor.
“Agjenda ambicioze që ne kemi që deri në 2027 do të përmbyllim kapitujt në vetvete do të sjellë një dallgë të madhe rregullative, e cila duhet përkthyer në standarde të reja në nivel vendor dhe patjetër me përgjegjësi të reja”, u shpreh Demo.
Ministri Demo vuri në dukje se “qeveria qendrore është këtu për të mbështetur bashkitë aty ku duhet edhe me financat, të cilat janë të domosdoshme për të arritur këto standarde”.
Por, vijoi Demo, Akademia e Pushtetit Lokal dhe nisma të tjera janë pararojë një përgatitje që ne po bëjmë që kur kjo dallgë të vijë bashkitë të jenë gati që të ballafaqohen me këto sfida dhe patjetër të arrijnë që të përthithin jo thjesht përgjegjësitë, por të jenë gati nesër që të jenë konkurruese sa i përket financimit që do të vijë momentin që ne jemi pjesë e BE-së.
Demo u shpreh se “kemi nxjerrë mësime të qarta nga të gjitha vendet që kanë aderuar në BE në vitet e para qartazi është konstatuar një mungesë kapaciteti sidomos në nivel vendor të përthithjes së fondeve që vijnë nga mbështetja financuar nga fondet e kohezionit që është kapitulli 22 nga BE”.
Kjo, vijoi Demo, përgjithësisht ka të bëjë me parapërgatitjen që këto institucione duhet të kenë.
“Duket sikur ka shumë kohë përpara, por më besoni procesi është shumë kompleks, vetvetiu bashkitë kanë karakteristikat e tyre, të cilat e bëjnë ndonjëherë procesin edhe më kompleks. Sfidat e burimeve njerëzore janë aty, ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm ndaj mundohemi që me instrumentet e rinj që kemi duke garantuar nëpërmjet Akademisë së Pushtetit Lokal, fuqizimin e burimeve njerëzore dhe përgatitjet e tyre më të mira për sfidat siç mund të jetë procesi i integrimit dhe jo vetëm, por patjetër granti i performancës do të bëjë të mundur transformmin institucional që bashkitë të jenë gati për atë çfarë ne presim”, tha Demo.
/k.s/j.p/