Demo për ATSH-në: 69 zona prioritare në 13 bashki, 100 aplikime për investime në Paketën e Maleve

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi sot në një konferencë për mediet se “Paketa e Maleve” përbën një instrument të rëndësishëm që synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të territorit, veçanërisht në zonat me potencial të pashfrytëzuar.
I pyetur nga ATSH mbi ecurinë e aplikimeve për investime të reja në kuadër të kësaj nisme, si dhe mbi shifrat konkrete, Demo bëri të ditur se janë miratuar tashmë 69 zona prioritare për zhvillim, me vendim të Këshillit të Ministrave, të shpërndara në 13 bashki.
Sipas tij, këto bashki janë Vau i Dejës, Klos, Mat, Shkodër, Shijak, Kukës, Skrapar, Elbasan, Përmet, Belsh, Memaliaj, Tepelenë dhe Dibër, të cilat kanë përfituar miratimin e zonave prioritare për zhvillim në kuadër të paketës.
Ministri theksoi se deri më tani janë evidentuar rreth 100 raste aplikimesh për investime të reja, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të procesit të shqyrtimit, duke nënvizuar se ky proces është dinamik dhe ndryshon nga dita në ditë, për shkak të interesit në rritje.
“Fluksi më i lartë i aplikimeve lidhet me bashkitë që kanë territore më të mëdha. Bashkia Shkodër ka shfaqur interes shumë të lartë, po ashtu edhe Kukësi, por edhe bashkitë e tjera po ndjekin procesin me vëmendje” u shpreh Demo.
Ai shtoi se brenda dy muajve në vijim pritet të ketë një tablo më të qartë të aplikimeve, ndërsa qytetarët dhe sipërmarrësit do të ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për përfitimet që ofron kjo nismë.
Demo bëri të ditur gjithashtu se numri i bashkive të përfshira në procesin e plotësimit të aplikimeve do të vijojë të rritet duke u shtrirë në 61, çka sipas tij tregon rritje të angazhimit në nivel vendor.
“Jam i bindur se bashkitë e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj nisme, e cila është në interes të zhvillimit të territorit dhe të vetë bashkive, për të ndërtuar zona që ose nuk kanë pasur mundësi zhvillimi për shkak të problematikave të ndryshme, ose mund të shërbejnë si incentiva për të motivuar sipërmarrje të caktuara që të investojnë në këto zona”, tha ai.
Ministri nënvizoi se një investim i qëndrueshëm në agroturizëm ka efekt transformues jo vetëm për një fshat të vetëm, por për grupe fshatrash, duke ndikuar pozitivisht në prodhimin bujqësor, krijimin e tregjeve dhe veçanërisht në zhvillimin turistik të zonës.
Në përfundim, Demo shprehu bindjen se Paketa e Maleve është një element shtytës për zhvillimin e qëndrueshëm, duke siguruar se qeveria qendrore mbetet e gatshme të mbështesë bashkitë me informacion dhe asistencë teknike për zbatimin e plotë të kësaj nisme.
“Paketa e Maleve” është një nismë e qeverisë shqiptare e prezantuar në fillim të vitit 2025, që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe social në zonat malore dhe rurale me potencial zhvillimi, përmes lehtësimit të procedurave dhe krijimit të incentivave për investime private.
Paketa fokusohet kryesisht në sektorë si agroturizmi, bujqësia, blegtoria, përpunimi i produkteve lokale dhe turizmi natyror, duke synuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe frenimin e emigrimit nga zonat e thella. Në kuadër të kësaj nisme, bashkitë propozojnë zona prioritare për zhvillim, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përfitojnë mbështetje institucionale për realizimin e projekteve. e.xh/j.p/