E Hënë, 2 Nëntor 2026

Demo: Qeveria do të shpërndajë brenda korrikut bonusin për forcat në vijën e parë të zjarreve

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se qeveria po intensifikon masat për përballimin e sezonit të zjarreve, duke vënë theksin te koordinimi ndërinstitucional, rritja e kapaciteteve logjistike dhe mbështetja financiare për strukturat që angazhohen në terren.

Gjatë deklaratës së tij, Demo bëri të ditur se rastet e para të zjarreve janë regjistruar tashmë në disa bashki të vendit, ndërsa institucionet qendrore dhe vendore po punojnë në koordinim për të garantuar një reagim sa më të shpejtë dhe efikas.

“Jo më larg se dje kemi pasur rastet e para në disa bashki për zjarret në territor. Po punojmë për të pasur të gjithë organizimin e duhur për zjarret, në bashkëpunim ndërinstitucional, në nivel vendor dhe qendror. Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor ka rol koordinues përsa i përket këtyre situatave, ndërsa për vitin 2026 synojmë të kemi një përgatitje logjistike edhe më të mirë në përgjithësi”, tha Demo.

Ministri u bëri apel qytetarëve të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes maksimal në raport me mjedisin, duke paralajmëruar se edhe pakujdesitë e vogla mund të shkaktojnë pasoja të rënda.

“Duhet të kemi më shumë sensibilizim. Çdo qytetar duhet të bëjë shumë kujdes në marrëdhënien me mjedisin dhe sjelljen në territor. Edhe aksidentet më të vogla mund të marrin përmasa të mëdha dhe të kërkojnë angazhimin e burimeve të konsiderueshme njerëzore dhe logjistike”, u shpreh ai.

Demo njoftoi gjithashtu se qeveria do të prezantojë së shpejti një paketë të re mbështetëse për efektivët që angazhohen në përballimin e zjarreve dhe fatkeqësive natyrore.

“Këtë vit do të dalim shumë shpejt me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë të përgjigjes ndaj këtyre fatkeqësive në territor. Gjithashtu, për bonusin që marrin në fund të sezonit të zjarreve, qeveria do të propozojë që ai të shpërndahet brenda muajit korrik. Do të merren të gjitha hapat për të garantuar motivimin e duhur të burimeve njerëzore që përballen me këto situata”, deklaroi ministri.

Sipas Demos, masat synojnë jo vetëm rritjen e gatishmërisë së institucioneve për sezonin veror, por edhe forcimin e mbështetjes për ekipet që operojnë në terren, në mënyrë që reagimi ndaj emergjencave të jetë sa më i shpejtë dhe efektiv.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›