Shkelën perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve, bllokohen dy mjetet lundruese në Sarandë

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Policia Kufitare në Sarandë bllokoi dy mjete lundruese dhe gjobiti drejtuesit e tyre pasi shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Sipas policisë, gjatë patrullimit në zonën e Gjirit të Sarandës, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski) që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Gjithashtu, po gjatë patrullimit, në zonën e Gjirit të Ksamilit, u konstatua edhe një tjetër mjet lundrues (Jet Ski) që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në kundërshtim me rregullat e lundrimit.
Policia njoftoi se në përfundim të veprimeve administrative, të dy mjetet lundruese u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesve, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me vlerë 500.000 lekë të rinj, secilit.
/m.q/j.p/