Demokratët fitojnë garën për Senatin në Teksas, thyejnë dominimin republikan që nga viti 1988

Demokrati James Talarico pritet të fitojë garën për Senatin amerikan në Teksas, duke mposhtur kandidatin republikan dhe prokurorin e përgjithshëm të shtetit, Ken Paxton, sipas projeksionit të CNN-it.
Talarico, 37 vjeç, bëhet demokrati i parë i zgjedhur në Senatin amerikan për të përfaqësuar Teksasin në 38 vjetët e fundit, si dhe demokrati i parë që fiton një garë në nivel shtetëror që nga viti 1994.
Fitorja e tij konsiderohet një nga befasitë më të mëdha të zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026. Kjo pasi ai arriti të mposhtë kandidatin republikan në një shtet që presidenti amerikan, Donald Trump e kishte fituar me gati 14 për qind më tepër në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Talarico, 37 vjeç, i cili ka studiuar për t’u bërë pastor presbiterian dhe më parë ka punuar si mësues në Round Rock, ishte pak i njohur në Teksas para se të niste fushatën zgjedhore në shtator të vitit të kaluar.
Megjithatë, ai arriti të fitojë mbështetje në Teksas dhe në nivel kombëtar, duke e vendosur besimin fetar në qendër të mesazhit të tij elektoral dhe duke zgjeruar apelin edhe te votuesit e pavarur dhe ata republikanë.
Në fitoren e tij ndikoi edhe kandidatura e republikanit Ken Paxton, i cili gjatë fushatës u përball me një sërë polemikash.
Ndër to ishte edhe kërkesa e bashkëshortes së tij për divorc, të cilën ajo e kishte paraqitur duke iu referuar “arsyeve biblike”.
Paxton ishte akuzuar gjithashtu për mashtrim me letrat me vlerë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2023 ishte shkarkuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Teksasit përmes një procedure shkarkimi (impeachment), por më vonë ishte shpallur i pafajshëm nga Senati i shtetit.
Në vitin 2024, ai arriti një marrëveshje me prokurorët për t’u paguar kompensim viktimave në rastin e mashtrimit, duke shmangur kështu gjykimin.
Ndryshe, Elon Musk ka shpenzuar mbi 200 milionë dollarë për të ndihmuar kandidatin republikan Ken Paxton.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

