Dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit, qeveria ndryshon skemën e pagesave, hiqet kufiri i 8 kësteve

Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u miratua një ndryshim i rëndësishëm në VKM nr. 419, që lidhet me procesin e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist.
Më konkretisht, propozuar nga Ministria e Financave, ndryshimet parashikojnë:
- Heqjen e kufizimit për ndarjen e dëmshpërblimit në tetë këste të barabarta;
- Likuidimin brenda këstit të radhës të të gjitha dosjeve me vlerë të mbetur deri në 1 milion lekë.
Me këto ndërhyrje, parashikohet që brenda një afati 4–5 vjeçar të përfundojë plotësisht pagesa për rreth 6,000 dosje nga 10,360 që janë aktualisht në proces.
Ky ndryshim pritet të sjellë një sërë efektesh pozitive:
- Përshpejtim të ndjeshëm të procesit, duke reduktuar intervalin mes kësteve në rreth 2–2.5 vite, nga 3.5–4 vite që është aktualisht;
- Rritje të fondit vjetor për dëmshpërblime, i cili aktualisht është rreth 1.5 miliardë lekë.
Ky vendim synon jo vetëm rritjen e eficiencës në shpërndarjen e pagesave, por mbi të gjitha përmbushjen e një detyrimi moral ndaj familjeve të personave që kanë vuajtur padrejtësisht gjatë regjimit komunist.