E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmtimi i 2 banesave nga shkarja e dherave, kryebashkiaku i Selenicës: Nuk ka të lënduar, dy familjet janë evakuuar

Dy banesa janë dëmtuar tërësisht si pasojë e shkarjes së dherave dhe spostimit të shtëpive me disa metra në fshatin Vajzë në Selenicë.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës Nertil Bellaj ka deklaruar për mikrofonin e RTSH se si pasojë e reshjeve të shiut dhe rrëshqitjes së dhrave dy banesa janë dëmtuar. Ai theksoi se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa dëmet në këto dy banesa janë të konsiderueshme.

 “Në zonën e Vajzës, reshjet nuk kanë pushuar gjatë këtyre 24 orëve. Ato kanë sjellë dëmtimin e dy banesave dhe aksit kryesor. Është shkarje masive. Do studim të qartë ku ka filluar. Jemi në kontakt me Gjendjen Civile me drejtorinë e ARRSH. Nuk ka të lënduar. Janë dy familje që janë evakuuar te njerëzit e tyre të afërt”, tha ai, teksa nënvizoi se shkarja e dherave në këtë fshat është masive.

Bellaj shtoi se aktualisht po punohet për një Bypass brenda fshatit.

“Ky është aks nacional ku është ARRSH që merret me mirëmbajtjen dhe investimet, por inxhinierët do e shohin, do e studiojnë, është shkarje masive. Mund të bëhen riparime brenda këtyre ditëve për ta bërë të cilat mund ta bëjnë rrugën të aksesueshme. Po punojmë për të bërë një by pass brenda fshatit që të mos bllokohet dhe aksi”, shtoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›