Dëmtohen sërish kabllot nënujore, Finlanda sekuestron anijen me ekuipazh rus, dyshime për sabotim

Tensionet e sigurisë janë rikthyer sërish në Detin Baltik pas dëmtimit të infrastrukturës kritike nënujore në Gjirin e Finlandës. Autoritetet finlandeze dhe ato estoneze kanë nisur një hetim urgjent për dëmtimin e një kablli telekomunikacioni që lidh dy kryeqytetet, ndërsa kanë ndaluar një anije tregtare të dyshuar për incidentin.
Ngjarja, e cila ndodhi të mërkurën (31 dhjetor 2025), ka vënë në lëvizje Rojën Bregdetare dhe policinë e dy vendeve anëtare të NATO-s.
Sekuestrohet anija “Fitburg”
Roja Kufitare e Finlandës njoftoi se ka sekuestruar dhe inspektuar anijen e dyshuar, e cila u gjet me spirancën e ulur në zonën ekskluzive ekonomike të Finlandës, pikërisht në vendin ku u raportua dëmtimi.
Anija e quajtur Fitburg, e cila lundronte nën flamurin e Shën Vincentit dhe Grenadineve, ishte nisur nga Rusia me destinacion Izraelin. Sipas raportimeve të mediave lokale, autoritetet kanë ndaluar ekuipazhin prej 14 personash, të cilët janë shtetas nga Rusia, Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Kazakistani.
Policia e Helsinkit ka hapur zyrtarisht një çështje penale për “dëmtim të rënduar kriminal” dhe “ndërhyrje të rënduar në telekomunikacion”.
Dyshimet për veprim të qëllimshëm Komisioneri i Policisë Kombëtare Finlandeze, Ilkka Koskimäki, konfirmoi se anija kishte mbajtur spirancën e saj të lëshuar për orë të tëra, duke e tërhequr zvarrë në shtratin e detit.
Edhe pse hetuesit u treguan të kujdesshëm për të mos spekuluar zyrtarisht nëse pas këtij akti fshihet një aktor shtetëror, rrethanat ngrenë dyshime të forta.
Kablli i dëmtuar i përket kompanisë finlandeze Elisa, e cila sqaroi se fatmirësisht shërbimi i saj nuk është ndërprerë. Megjithatë, zyrtarët estonezë raportuan se një tjetër kabllo, në pronësi të ofruesit suedez Arelion, u dëmtua gjithashtu herët të hënën, duke sugjeruar një model të koordinuar sabotimi.
Hija e “flotës fantazmë” ruse
Ky incident pason një seri ngjarjesh të ngjashme që kanë alarmuar Perëndimin. Vetëm pak muaj më parë, autoritetet finlandeze ngritën akuza ndaj kapitenit të anijes Eagle S, pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” e Rusisë, për dëmtimin e kabllove nënujore gjatë Krishtlindjeve të vitit 2024.
Perëndimi i sheh këto incidente si pjesë të një lufte hibride dhe sabotimi të infrastrukturës energjetike dhe të komunikimit në Evropë, të lidhura me Moskën pas pushtimit të Ukrainës.
Presidenti finlandez, Alexander Stubb, reagoi përmes platformës ‘X’, duke u përpjekur të qetësojë situatën:
“Finlanda është e përgatitur për sfida sigurie të llojeve të ndryshme dhe ne u përgjigjemi atyre sipas nevojës.”
Autoritetet e të dyja vendeve po koordinojnë veprimet për të vendosur nëse do të ngrenë një padi të përbashkët penale për këtë cënim të rëndë të infrastrukturës kritike evropiane.
/rtsh.al/