Gjermania blindon qytetet për Vitin e Ri, alarm për dhunë ndaj policisë

Gjermania po përgatitet për një natë të tensionuar të ndërrimit të viteve, teksa autoritetet kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë në qytetet kryesore. Sindikata e Policisë Gjermane (GdP) ka lëshuar një paralajmërim të fortë për rrezikun e dhunës ndaj shërbimeve të emergjencës, duke evokuar skenat kaotike të viteve të kaluara.
Frikë nga “anonimati i turmës”
Jochen Kopelke, kreu i sindikatës së policisë, deklaroi se rreziku i sulmeve ndaj oficerëve dhe punonjësve të shpëtimit mbetet “shumë i lartë” dhe shpesh i paparashikueshëm.
“Anonimiteti dhe përshtypja se dikush nuk do të mbahet përgjegjës për krimet në natën e Vitit të Ri i tundon njerëzit të kryejnë vepra penale,” tha Kopelke për agjencinë DPA.
Në vitet e mëparshme, policia dhe zjarrfikësit janë përballur me prita të organizuara dhe sulme me fishekzjarre të fuqishme, veçanërisht në Berlin.
Mobilizim masiv policor
Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, shtetet federale kanë mobilizuar mijëra efektivë:
Berlini ka dislokuar 4,300 oficerë policie – tre herë më shumë se numri i zakonshëm – të mbështetur nga 1,600 zjarrfikës.
Renani-Vestfalia e Veriut, shteti më i populluar gjerman, ka rritur forcën policore në 7,600 oficerë për të garantuar sigurinë rreth pikave nevralgjike si Katedralja e Këlnit.
/rtsh.al/