E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve nxisin investimet në agroturizëm

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Në Reç, Malësi e Madhe, familja Maleci prej rreth 7 vitesh ka krijuar një histori suksesi me investimin në agroturizëm, si një sipërmarrje që ka kthyer traditën, natyrën dhe mikpritjen në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga ky investim, teksa e cilësoi këtë sipërmarrje shembull të një modeli të qëndrueshëm ekonomik që nxit punësimin lokal, forcon zinxhirin agroushqimor, dhe kontribuon në zhvillimin rural.

Me një ndërlidhje të shkëlqyer me fermerët e zonës, agroturizmi në Reç ofron produkte të freskëta dhe cilësore “Made in Albania”, si mish, djathë, perime, mjaltë dhe sidomos gështenjat karakteristike të Reçit.

Denaj shprehu mbështetjen për zgjerimin e agroturizmeve.

“Me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, tha Denaj. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›