E Martë, 3 Nëntor 2026

Programi për energjinë e rinovueshme, Kozeli: 8 mijë familje përfitojnë nga skemat e granteve

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ami Kozeli bëri të ditur sot se 8 mijë familje do të përfitojnë nga skemat e granteve për burimet e rinovueshme të energjisë.

Kozeli ishte i ftuar në komisionin për Politikën e Jashtme ku prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për energjinë për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.

Zv.ministri bëri të ditur se ky program ka një buxhet total prej 79 milionë eurosh nga të cilat 50 milionë janë donacion nga BE dhe 29 janë bashkëfinancim nga qeveria shqiptare.

Programi operacional për energjinë, sipas tij, “synon zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë, diversifikimin e tyre, nxitjen e përdorimit efikas dhe uljen e konsumit të energjisë në ndërtesat publike.

Po ashtu, Kozeli theksoi se ky program synon krijimin e kushteve për hapjen e tregut të energjisë në përputhje të plotë me paketën e tretë rregullatore të BE-së.

“Ky program do të impaktojë ndjeshëm edhe eficiencën e energjisë në furnizimin me ujë dhe imobilitetin nëpërmjet instalimit të paneleve fotovoltaike dhe nxitjes së gjenerimit të energjisë së rinovueshme që përdoret në sektorin e ujit si dhe përmes investimeve në instalimin e stacioneve të karikimit të makinave elektrike”, tha ai.

Zv.ministri Kozeli nënvizoi se programi operacional i energjisë bazohet në 4 fusha kryesore, ku veçoi energjinë e rinovueshme dhe eficiencën e energjisë në ndërtesat publike.

“Qëllimi është përmirësimi i eficiencës së energjisë në ndërtesat publike të 4 bashkive të përzgjedhura duke rritur eficiencën e energjisë e ulur emetimet e gazrave serrë. Po ashtu synohet zhvillimi i burimeve të energjisë së rinovueshme si dhe parashikohen investime në ndërtesat publike të 4 bashkive të përzgjedhura ku përfshihen zyrat, kopshtet, bibliotekat, qendrat sociale etj”, tha ai.

Gjithashtu, Kozeli theksoi se “investimet do të përfshijnë instalimin e paneleve të energjisë së rinovueshme kryesisht fotovoltaikë dhe kolektorë termikë diellorë”.

Përveç kësaj, Kozeli tha se “programi operacional do të bashkëfinancojë burimet e rinovueshme të energjisë për rreth 8 mijë familje private nëpërmjet një sërë skemash grantesh”.

Në lidhje me infrastrukturën e automjeteve elektrike, Kozeli tha se “synohet reduktimi i emetimeve të karbonit, përafrimi me legjislacionin e BE-së, asistimi në instalimin e 130 stacioneve të karikimit të makinave elektrike dhe një sistem teknologjik i përmirësuar për menaxhimin e rrjetit të stacioneve të karikimit”.

“Parashikohet gjithashtu forcimi i kapaciteteve të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë. Fusha e tretë është eficienca energjetike në sektorin e ujit. Objektiv është rritja e eficiencës së energjisë dhe ulja e emetimeve në 7 ndërmarrje të Ujësjellës-Kanalizimeve. Parashikohet përmirësimi i sistemeve të pompimit, instalimi i paneleve fotovoltaike me një kapacitet prodhues deri në 15 Mega si dhe rritja e kapaciteteve për AKUK dhe ndërmarrjet vendore. Fusha e katërt është përmirësimi i kapaciteteve institucionale, rritja e kapaciteteve të autoritetit menaxhues për zbatimin efektiv të programeve”, tha Kozeli. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›