Denaj: Investimi në kanalin ujitës në Zall-Herr, zhbllokon potencialin bujqësor të zonës

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur sot përmes një postimi në rrjetet sociale miratimin e një investimi të rëndësishëm për komunitetin e Zall-Herrit, që lidhet me rehabilitimin e kanalit ujitës të kësaj zone.
“Me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave kemi miratuar rehabilitimin e kanalit ujitës, një ndërhyrje që zhbllokon potencialin bujqësor të kësaj zone”, shkruan ministrja.
Projekti parashikon rikonstruksionin e rreth 3.6 kilometrave të kanalit dhe të një sifoni me gjatësi rreth 0.5 km, duke mundësuar furnizimin me ujë të rreth 200 hektarëve tokë bujqësore, që deri më sot nuk kanë funksionuar me kapacitet të plotë për shkak të degradimit të infrastrukturës.
Ky investim synon të forcojë zhvillimin rural, të rrisë prodhimin bujqësor dhe të përmirësojë të ardhurat e fermerëve, duke i nxitur ata të përfshihen më tej në programe mbështetëse si Skema Kombëtare e Investimeve, Garancia Sovrane dhe Kredia e Butë.
/a.f/