E Hënë, 2 Nëntor 2026

Denaj: Mbështetje deri në 7,5 milionë lekë për agropërpunimin


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Fermerët dhe sipërmarrësit shqiptarë në fushën e agropërpunimit kanë mundësi të përfitojnë mbështetje financiare për investime në teknologji moderne për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, ofrohet një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore për çdo subjekt, me një kufi maksimal prej 7,5 milionë lekësh.

“Ky grant synon të nxisë instalimin e linjave moderne dhe automatizimin e proceseve të punës, duke rritur kapacitetin prodhues dhe përmirësuar standardet e cilësisë, me qëllim shtimin e vlerës së produkteve shqiptare si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha ministrja Denaj.

Përveç grantit, shtoi ministrja Denaj, përfituesit kanë mundësi të kombinojnë mbështetjen me Kredinë e Butë, e cila ofrohet me interes vetëm 2%, dhe përfitojnë gjithashtu garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar kështu financimin e plotë të investimit.

Aplikimet për këtë mbështetje duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të AZHBR deri më 30 shtator. Skema përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›