Tatimet zbulojnë evazion fiskal prej 10 milionë eurosh nga një subjekt që tregton e prodhon produkte blegtorale

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Në periferi të Tiranës, gjatë një kontrolli të përbashkët të taskforcës së Administratës Tatimore dhe strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, u zbulua një rast i evazionit fiskal, ku një subjekt i angazhuar në tregtimin e prodhimeve blegtorale kishte fshehur detyrime tatimore prej 10 milionë eurosh brenda vetëm dy viteve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj rasteve të kësaj natyre dhe se do të vijojnë ndërhyrjet e fokusuara për të goditur subjektet që operojnë jashtë kuadrit ligjor.
DPT u bën thirrje të gjitha subjekteve që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të veprojnë në përputhje me rregullat përkatëse, duke theksuar rëndësinë që ka formalizimi i tregut jo vetëm për konkurrencën e ndershme, por edhe për garantimin e sigurisë ushqimore.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo abuzim apo shkelje të ligjit që cenon shëndetin publik dhe funksionimin e ndershëm të tregut. /j.p/