Dënohen tre të akuzuar për sulmin terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicën e Veriut

PRISHTINË, 28 korrik /ATSH/ Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot fajtorë Millun Millenkoviq – Llunen, Aleksandar Vllajiqin dhe Dejan Pantiqin për sulmin me bomba dore ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Millun Millenkoviq – Llune dhe Aleksandar Vllajiq janë dënuar me pesë vjet burgim, i akuzuari tjetër Dejan Pantiq me dy vite burgim, ndërkaq Miomir Vakiq është liruar nga akuza, meqë nuk është vërtetuar fajësia. Llune ishte përmendur si organizatori kryesor i sulmit.
Të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në gjykatë të hënën, më 28 korrik 2025.
Aktgjykimi në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022, është shpallur sot, më 28 korrik, në Gjykatën themelore në Prishtinë.
Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”. Ata akuzohen për sulm me mjete shpërthyese ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës duke rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në dhjetor të vitit 2022, u hodhën dy mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së, prej të cilave njëra shpërtheu.
/KosovaPress/