E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli njofton pauza ditore të luftimeve në Gazë

GAZË, 28 korrik /ATSH/- Izraeli njoftoi dje ndalimin e operacioneve ushtarake për 10 orë në ditë – në disa pjesë të Gazës dhe korridore të reja të ndihmës, sipas “Reuters”.

Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe hodhën furnizime nga ajri në enklavë, ndërsa imazhet e palestinezëve të uritur kanë alarmuar botën.

Izraeli është përballur me kritika ndërkombëtare në rritje, për shkak të krizës humanitare në Gaza, dhe bisedimet indirekte për armëpushim në Doha midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas janë ndërprerë pa asnjë marrëveshje në horizont.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një vizite në Skoci, tha se Izraeli do të duhet të marrë një vendim për hapat e mëtejshëm në Gaza – ndërsa shtoi se nuk mund të parashikonte se çfarë do të ndodhte pas prishjes së armëpushimit dhe negociatave për lirimin e pengjeve me Hamasin.

Aktiviteti ushtarak do të ndalet çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 20:00 deri në një njoftim të mëtejshëm në Al-Mawasi, një zonë e caktuar humanitare përgjatë bregdetit, në Deir al-Balah qendror dhe në Qytetin e Gazës.

Ushtria tha se rrugët e sigurta – të caktuara për konvojet që shpërndajnë ushqim dhe barna – do të ishin midis orës 6:00 dhe 23:00 duke filluar nga e diela.

Raportet fillestare treguan se më shumë se 100 kamionë me ndihma kanë hyrë dje në Gaza.

Në dërgimin e tyre të parë nga ajri në muaj të tërë,

Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe hodhën dje 25 tonë ndihma me parashutë në Gaza.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë në qytetin e Gazës thanë se të paktën 10 persona ishin plagosur nga rënia e kutive të ndihmës.

“Dhjetëra banorë të Gazës kanë vdekur nga kequshqyerja në javët e fundit”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës në enklavën e drejtuar nga Hamasi.

Ministria raportoi gjashtë vdekje të tjera gjatë 24 orëve të fundit për shkak të kequshqyerjes, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga kequshqyerja dhe uria që nga fillimi i luftës në vitin 2023 në 133, përfshirë 87 fëmijë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›