Dënohet me 8 vite burg për trafik droge Shkëlzen Daci, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 8 vite burgim të pandehurin Shkëlzen Daci, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vendimi, i shpallur të hënën, e deklaroi Dacin fajtor për veprat penale të “Trafikim i lëndëve narkotike, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Fillimisht, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Alfred Konomi, Sokol Pasho dhe Migena Laska, vendosi dënimin e vetëm me 12 vjet burgim në bashkim të veprave penale.
Megjithatë, duke qenë se gjykimi i çështjes u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, Daci përfitoi uljen me 1/3 të masës së dënimit. Për rrjedhojë, dënimi përfundimtar ndaj tij u caktua në 8 vite burgim.
Gjithashtu, Gjykata vendosi që Shkëlzen Daci ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Pjesë e grupit kriminal të goditur në 2021
Shkëlzen Daci ishte pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, i cili u godit dhe u shkatërrua në fillim të muajit korrik të vitit 2021. Grupi i strukturuar kriminal akuzohej se kultivonte bimë narkotike dhe më pas organizonte shpërndarjen e drogës në qytete italiane dhe vende të tjera evropiane.