E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denoncimi i Erion Veliajt për burgosje me 100 vite, Ermelinda Meksi kërkon hetim: Shteti nuk është pronë e askujt! Nëse kjo i ndodh një kryebashkiaku, çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm

Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi, ka reaguar lidhur me përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas pretendimeve të këtij të fundit se është kërcënuar në qeli përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për të deleguar firmën si kryebashkiak i Tiranës ose ndryshe, “do të kalbej në burg”.

veliaj rama meksi

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Meksi e cilëson ngjarjen më të rëndë sesa një konflikt mes dy ish-miqsh apo një përplasje brenda Partisë Socialiste.

Sipas saj, nëse pretendimet e Veliajt vërtetohen, bëhet fjalë për një precedent shqetësues, që lidhet me përdorimin e autoritetit dhe instrumenteve të shtetit për të ushtruar presion politik ndaj një personi në paraburgim.

“Nëse kjo i ndodh një kryetari bashkie, me çfarë garancish mbrohet qytetari i zakonshëm Shteti nuk është pronë e askujt, drejtësia nuk është instrument i pushtetit dhe liria e dinjiteti i individit nuk mund të bëhen objekt pazaresh politike”, thotë ajo.

Ish-ministrja thekson se përgënjeshtrimi i ministrit Gogu nuk është i mjaftueshëm dhe se ai duhet të shoqërohet me fakte e transparencë.

“Mohimi i ministrit nuk mjafton. Ai duhet të shoqërohet me fakte dhe transparencë. Një ministër nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë institucionale me një deklaratë mohuese”, shkruan Meksi.

Ajo ngre gjithashtu disa pikëpyetje mbi vizitën e ministrit në burgun e Fierit, duke kërkuar të bëhet e ditur se në çfarë cilësie shkoi atje, si u zhvillua takimi, ku u dokumentua vizita dhe kush ishte në dijeni të saj.

Postimi i ish-ministres socialiste Ermelinda Meksi

Institucionet ne prove

Letra e Erion Veliajt dhe përgënjeshtrimi i ministrit Gogu përbëjnë një ngjarje shumë më të rëndë sesa një konflikt mes dy ish-miqsh apo një përplasje brenda Partisë Socialiste.

Nëse pretendimet e Erion Veliajt vërtetohen, kemi të bëjmë me një precedent tejet shqetësues, përdorimin e autoritetit dhe të instrumenteve të shtetit për të ushtruar presion politik mbi një person në paraburgim.

Mohimi i ministrit nuk mjafton. Ai duhet të shoqërohet me fakte dhe transparencë. Një ministër nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë institucionale me një deklaratë mohuese.

Në çfarë cilësie shkoi ministri në burg? Si u zhvillua dhe ku u dokumentua vizita dhe kush ishte në dijeni të saj?

Këto nuk janë pyetje që mund të mbeten pa përgjigje. Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të verifikojnë çdo pretendim, të bëjnë publike faktet dhe të identifikojnë përgjegjësitë. Heshtja institucionale apo një përgënjeshtrim formal nuk janë llogaridhënie.

Kjo ngjarje kërkon adresimin e përgjegjësive në tri nivele:

– Ministri i Drejtësisë të sqarojë plotësisht rrethanat dhe ligjshmërinë e vizitës.

– Kryeministri të garantojë se pushteti ekzekutiv nuk është përdorur për presion apo pazare politike.

– Institucionet e drejtësisë të verifikojnë pretendimet në mënyrë të pavarur dhe të garantojnë ligjshmërinë e procesit dhe respektimin e të drejtave të individit.

Këtu nuk mbrohet aspak Veliaj nga përgjegjësia për akuzat ndaj tij, të cilat duhet të hetohen dhe të gjykohen nga drejtësia. Bëhet fjalë për mbrojtjen e parimeve mbi të cilat funksionon një shtet demokratik: të drejtat e njeriut nuk varen nga simpatitë politike dhe as nga fakti nëse je i fuqishëm apo qytetar i zakonshëm.

Nëse kjo i ndodh një kryetari bashkie, me çfarë garancish mbrohet qytetari i zakonshëm?

Shteti nuk është pronë e askujt, drejtësia nuk është instrument i pushtetit dhe liria e dinjiteti i individit nuk mund të bëhen objekt pazaresh politike.

Kjo është çështje e shtetit, e institucioneve dhe e demokracisë sonë.

E.Meksi, 2 Nentor 2026

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›