E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Diddy-t i ndryshohet sërish data e lirimit nga burgu, ja kur pritet të dalë

Data e lirimit të reperit dhe producentit amerikan Sean “Diddy” Combs është ndryshuar sërish. Pas disa rishikimeve të njëpasnjëshme gjatë muajve të fundit, ai pritet të lirohet më 6 shkurt 2028, rreth tre javë më herët se data e përcaktuar më parë.

Sean “Diddy” Combs

Sipas një raportimi të TMZ, data e re e lirimit vjen pas një sërë ndryshimesh që kanë shoqëruar qëndrimin e tij në burg. Vetëm muajin e kaluar, lirimi i reperit ishte parashikuar për 2 mars 2028.

Ndërkohë, Diddy është transferuar nga institucioni penitenciar federal FCI Fort Dix, në New Jersey, në burgun FCI Allenwood, në Pensilvani. Sipas Daily Mail, transferimi u konfirmua muajin e kaluar, pas raportimeve për tensione dhe një incident të mundshëm mes të burgosurve në burgun ku ai qëndronte më parë.

Autoritetet kishin mohuar raportimet se reperi ishte përfshirë në një përleshje me një trafikant të njohur droge nga Xhamajka. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave amerikane, transferimi i tij u shoqërua me spekulime për sigurinë dhe kushtet e qëndrimit të tij në burg.

Vëmendje të veçantë kishte marrë edhe një raportim i NBC-së, sipas të cilit Diddy dyshohej se gëzonte trajtim të privilegjuar, thuajse si një personazh VIP, gjatë qëndrimit në FCI Fort Dix. Pas këtyre raportimeve, u bë e ditur se ai ishte vendosur për një periudhë në izolim, përpara transferimit në Pensilvani.

Sipas TMZ, José Rojas, përfaqësues i një organizate sindikale që lidhet me punonjësit e burgjeve federale, ka deklaruar se Diddy aktualisht mbahet së bashku me të burgosurit e tjerë në FCI Allenwood.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shërbimit Federal të Burgjeve, Radili Giamuso, deklaroi për Daily Mail se institucioni nuk komenton kushtet e paraburgimit apo vendimet që lidhen me vendosjen e personave të burgosur.

“Për arsye të privatësisë, sigurisë dhe mbrojtjes së personave të ndaluar, ne nuk komentojmë kushtet e paraburgimit të asnjë individi që ndodhet nën përgjegjësinë tonë, përfshirë vendimet që lidhen me vendosjen e tyre”, u shpreh ajo.

Fillimisht, Diddy pritej të lirohej në maj të vitit 2028, por data u ndryshua disa herë. Sipas të dhënave të mëparshme të Shërbimit Federal të Burgjeve, lirimi ishte parashikuar fillimisht për 21 janar 2028, për t’u shtyrë më pas deri më 2 mars të po atij viti.

Tashmë, sipas raportimit të TMZ, data është ndryshuar sërish dhe reperi pritet të dalë nga burgu më 6 shkurt 2028. Kështu, pas disa ndryshimeve të njëpasnjëshme, mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë data përfundimtare e lirimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›