Deputetet e opozitës: Do të kërkojmë përjashtimin e Ballës nga Kuvendi, ofendoi Vokshin

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Deputetet e opozitës gjatë seancës plenare kërkuan që të merren masa disiplinore ndaj kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialise, Taulant Ballës, pasi sipas tyre ofendoi deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se grupi parlamentar i PD-së do të kërkojë përjashtimin e Ballës nga Kuvendi. Tabaku gjithashtu u bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile që të reagojnë.
“Sot kryetari i grupit socialist, zoti Taulant Balla, ka ofenduar zonjën Albana Vokshi në mënyrë të përsëritur, jo vetëm një herë, dhe ka detyruar grupin parlamentar të Partisë Demokratike të largohet nga salla. Kjo sjellje e papranueshme në sallën e Kuvendit sot duhej patjetër të kishte marrë përgjigjen e merituar nga kryetari i Kuvendit. Zoti Niko Peleshi, për herë të disatë, ka dështuar që të drejtojë seancën dhe t’i ofrojë siguri deputetëve të opozitës për të operuar aty, së pari, dhe së dyti, për të dënuar një sjellje që, në gjykimin tim, në kaq vite në parlament nuk ka ndodhur asnjëherë.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Ne jemi të sigurt që zoti Peleshi përsëri nuk do të jetë mbi palët. Ne mund të mos biem dakord për shumë gjëra në këtë parlament, por këtu duhet të biem dakord që kur cenohet dinjiteti i një zonje, kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur nga askush”, tha Tabaku.
Ndërkohë, deputetja Ina Zhupa tha se “ajo që ndodhi sot, në fakt ishte e paprecedent, sepse një fjalor i tillë, jo vetëm që nuk justifikohet, por u munduan që t’i hidhnin hi syve qoftë grave demokrate, qoftë grupit parlamentar, duke bërë lojëra fjalësh me numrat e Bashkimit Evropian, ku të gjithë shqiptarët edhe të gjithë qytetarët e dinë se pse përdoret dhe kush ishte konotacioni pse zoti Balla e përdori atë fjalor”.
“Për ne është e papranueshme, si zonja, të gjithë koleget këtu, si opozitë, të gjithë, e kemi të papranueshme sepse nuk ka lindur akoma askush që mund të ofendojë zonjat demokrate, të cilat përfaqësojnë me dinjitet familjen e tyre, përfaqësojnë me dinjitet votuesit e tyre, përfaqësojnë me dinjitet demokratët”, tha Zhupa.
Edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha se “problemi është që këtu kemi një, jo vetëm një parlament të kthyer në një ministri më shumë, jo vetëm një bunker juridik tashmë për të mbrojtur gjithë qeverinë, por kemi një kryetar të parlamentit, i cili në rastet që për një fjalë ka përjashtuar në mënyrë të padrejtë kolegët e opozitës, me javë të tëra, ndërkohë që nuk merr asnjë vendimmarrje për një fyerje shumë të rëndë ndaj një zonje, ndaj një kolegeje, ndaj një nëne në seancë plenare”.
Sipas Xhixhos, “kjo jo vetëm është e turpshme, jo vetëm tregon faktin që zoti Peleshi nuk mund të jetë kryetar i Kuvendit, tregon qartë anksinë e tij në degradimin e çdo ditë që i bën parlamentit dhe jo vetëm që nuk ka reflektim, por përkundrazi, vazhdojnë me mashtrime dhe me ndjesa absolutisht jo të ndiera. Të vijë një fyerje në prag të festave të 7-8 Marsit ndaj një gruaje që angazhohet në politikë, dhe duhet ta kemi të gjithë të qartë që nuk është e lehtë të bësh politikë për gratë dhe vajzat në këtë vend, dhe një zonje që përballet me opozitë shumë të fortë në vite e vite të tëra, të kemi këtë fyerje dhe këtë degradim në një parlament i cili duhet të fliste për qytetarët”.
/m.q/r.e/