E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Artan Luku në Fax News, parlamenti në krizë, Peleshit nuk njeh rregulloren

Deputeti i PAA, Artan Luku, në një intervistë për gazetaren Fatime Baçi në “Fax News”, ka folur si një nga zërat më të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, duke sjellë një perspektivë ndryshe mbi mënyrën sesi po funksionon aktualisht Parlamenti dhe seancat plenare.

Luku theksoi se situata në Kuvend lë shumë për të dëshiruar, duke e cilësuar atë si të çrregullt dhe të papërqendruar. “Parlamenti është në krizë dhe Peleshit ende nuk e njeh rregulloren” – tha ai, duke iu referuar mënyrës se si zhvillohen seancat dhe ndërhyrjeve të shpeshta që, sipas tij, tregojnë mungesë serioziteti dhe përgatitjeje.

Deputeti i PAA u ndal edhe te mënyra se si qeveria ka trajtuar prezantimin e programit të saj, duke e quajtur procesin formal dhe jo përmbajtësor. “Programi nuk u shpalos, por ligjet u miratuan, madje edhe ligje të rëndësishme si ai për mbetjet” – u shpreh Luku, duke shtuar se kjo tregon mungesën e transparencës dhe të debatit real parlamentar për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik.

Në vijim të deklaratës së tij, Luku solli në vëmendje edhe reagimet brenda mazhorancës, duke përmendur se ishte dhe deputeti Erion Braçe ai që i ra pishman që votoi programin e qeverisë. Kjo, sipas tij, është një shenjë e qartë se edhe brenda vetë radhëve të shumicës ka pakënaqësi dhe dyshime për mënyrën se si po drejtohet qeveria dhe për mungesën e një vizioni të qartë në politikat publike.

Deputeti Artan Luku kërkoj më shumë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt ndaj rregullores, duke theksuar se Kuvendi duhet të rikthehet në funksionin e tij të vërtetë si institucioni ku debatohet, kontrollohet dhe orientohet politika shtetërore, e jo si një sallë formalitetesh ku ligjet kalojnë pa diskutim e pa vizion./faxnews

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›