Ish-prokurori Hajdari: Avokati në Elbasan mori pak kot, por duhet të kishte ndërhyrë gjyqtarja

Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka kritikuar ashpër incidentin e fundit në Gjykatën e Elbasanit, ku avokati Ulian Bajrami u arrestua gjatë një seance gjyqësore, duke e cilësuar veprimin si të papranueshëm në një sistem demokratik.
Duke folur në emisionin ‘Trialog’ në RTSH1, Hajdari theksoi se avokati është një element thelbësor i procesit gjyqësor dhe se gjyqtarja duhej të kishte ndërhyrë për të qetësuar situatën, në vend që të lejohej arrestimi.
“Si arrestohet avokati? Avokati është pjesë e procesit. Po të isha unë, nuk do ta bëja këtë debat me avokatin. Meqenëse avokati mori pak kot, do kërkoja pushim në seancë, do qetësoheshim, do pinim pak ujë dhe do i thosha: ‘O avokat, thirri mendjes, se nuk flitet ashtu, jemi në gjyq,’ dhe do futeshim sërish në seancë,” tha Hajdari, duke shpjeguar se si do të kishte vepruar për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ai kritikoi si prokurorin, ashtu edhe gjyqtaren për mungesën e profesionalizmit, duke theksuar se gjyqtarja kishte autoritetin për të kontrolluar situatën.
“Meqenëse lajthiti prokurori që kujtoi se po bënte ndeshje me avokatin, lajthiti edhe gjyqtarja. Gjyqtarja ka çekicin në dorë, mund ta ndërpriste seancën,” shtoi Hajdari.
Ai shprehu shqetësimin se incidenti reflekton një mungesë të kuptimit të parimeve demokratike në sistemin gjyqësor.
Pse kemi arritur ne në këtë histori që arrestojmë avokatin në sallën e gjyqit? Sepse nuk kuptojmë akoma se asnjë gjyq në demokraci nuk bëhet pa avokatin,” deklaroi Hajdari, duke nënvizuar rolin qendror të avokatit në garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.
Pak ditë më pare, gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, avokati Ulian u arrestua pas një debati të ashpër me prokurorin, që u përshkallëzua në tensione verbale.
Gjyqtarja nuk ndërhyri për të qetësuar situatën, dhe vendimi për arrestimin e avokatit u mor menjëherë, duke shkaktuar reagime të forta nga komuniteti i avokatëve dhe Dhoma e Avokatisë e cila dënoi veprimin, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit dhe të drejtës për mbrojtje ligjore, ndërsa një ditë më pas avokati Ulian Bajrami u la i lirë.
/rtsh.al/