Deputetja Gjuzi në “Mirëmëngjes Shqipëri”: Puna në komisione dhe Kuvend do jetë shumë e ngjeshur. Objektiv, integrimi në BE

Nga nesër nisin zyrtarisht komisionet e përhershme parlamentare me përbërjen e plotë të deputetëve, si nga socialistët, ashtu edhe nga demokratët e partitë e tjera.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, deklaroi se në fokus të mazhorancës në këtë mandat të katërt qeverisës do të jetë procesi i integrimit.
“Objektivi kryesor i grupit të PS është nxitja e procesit të integrimit. Detyra jonë si ligjbërës dhe ligjvënës është të japim kontributin tonë së pari në komisione e më pas në seancë plenare. Në tërësinë e vet, ne kemi një detyrë, ndaj qytetarëve tanë. Jemi votuar masivisht dhe shifra që PS mori nga populli më 11 maj, ja rrit përgjegjësinë për t’u fokusuar te puna. Të ndihmojmë procesin me detyrat dhe përgjegjësitë tona”, deklaroi Gjuzi.
Kjo e fundit theksoi se mandati i katërt do të kërkojë shumë impenjim, pasi procesi i integrimit nuk do të kërkojë vetëm miratim aktesh e ligjesh në komisione e Kuvend, por do të jetë një proces i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Në këtë drejtim, ajo tha se deputetët e PS do të angazhohen në terren për takime me qytetarët, bizneset e palët e interesit.
“PS shkoi në zgjedhjet e 11 majit me një premtim të vetëm, integrimi në BE. Kemi një kalendar të dakorduar me Komisionin Evropian për të përmbyllur procesin e negociatave brenda 2027. Puna në komisionet parlamentare dhe Kuvend do jetë shumë e ngjeshur.
Procesi i integrimit nuk është vetëm një mori ligjesh e aktesh që duhet të kalojnë, por një proces i tërë që do ndikojë jetën e përditshme të gjithsecilit prej nesh. Përgjegjësia e deputetëve të PS është angazhimi në territor më gjithë qytetarët, bizneset, palët e interesit për t’i vënë në dijeni për çfarë po ndodh.
Hyrja në tregun e përbashkët evropian do jetë lëvizje shumë e madhe e dinamikës së të bërit biznes. Procedurat që ndryshojnë në sektorin e bujqësisë, kërkojnë kohë për t’ua shpjeguar fermerëve. Ky mandat do kërkojë shumë impenjim, nuk vlen më vetëm të bësh mirë vetëm parlamentin”, shtoi ajo.
Sa i përket qëndrimit që ka mbajtur opozita në katër seancat plenare të kësaj legjislature, Gjuzi u bëri thirrje që të fokusohen te procesi i integrimit dhe të bashkëpunojnë për anëtarësimin e plotë të vendit në BE.
“Përballjen e kemi me qytetarët. Ne për ata jemi aty. Në parlament duhet të bëjmë detyrat për të asistuar procesin e integrimit. Opozita të bëjë rolin e saj dhe të vinim në një diskutim teknik në të mirë të procesit. Përafrimet t’i bëjmë pa diskurse, por për të mirën e qytetarëve. Ne jemi në Kuvend për të çuar përpara përgjegjësitë që kemi marrë më 11 maj”, tha Gjuzi.
/rtsh.al/