Berisha: Në raportin e DASH flitet për narkoekonomi, s’ka asnjë investim të huaj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, tha se opozita ka një sërë kandidaturash që po shqyrton për zgjedhjet e pritshme të pjesshme në kryeqytet.
Berisha akuzoi ashpër kandidaten e propozuar nga partia kundërshtare, Ogerta Manastirliu, për të cilën bëri këtë koment: “As nuk ekziston problemi i kandidatëve nga opozita. Janë disa dhe të pakrahasueshëm secili me ‘Korbën e Korrupsionit’. I ka vendosur edhe Nesti Angonin si drejtues fushate për t’ia bërë një Nesti Angon tjetër më vonë.”
Gjatë konferencës së ditës së hënë, z. Berisha përshëndeti partnerët ndërkombëtarë që sipas tij kanë treguar mbështetje për betejën e opozitës. Ai po ashtu iu referua një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit, duke thënë se nuk ka investime të huaja.
Sipas Berishës, ka 10 vite që nuk numërohen as me gishta “investitorët seriozë perëndimore, sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre”.
“Shqipëria është shndërruar nga Edi Rama në parajsën e larjes së parave të klaneve dhe karteleve më të rrezikshme në Europë. Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një patern ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimore sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre.
Sepse janë terroristët e karteleve të drogës ata që dominojnë tërësisht tregun shqiptar, ata që kanë shkatërruar tërësisht konkurrencën, ata të cilët janë më të preferuarit apo që i diktojnë Edi Ramës. Ndaj me të drejtë në raport flitet për një korrupsion të madh qeveritar, korrupsion të madh në gjyqësor”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/